A po survejohet dhe përgjohet Lulzim Basha? Reagimet e policisë dhe Ramës

A po survejohet dhe përgjohet Lulzim Basha? Reagimet e policisë dhe

Partia Demokratike pretendon se kryetari Lulzim Basha dhe familjarët e tij,  ndiqen dhe përgjohen nga segmente të policisë së shtetit. 

Nënkryetari i PD-së Edmond Spahia e cilësoi këtë si një operacion klandestin i cili tha ai  është konceptuar dhe zbatuar nga Fatmir Xhafaj.

Edmond Spaho: “Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale. Në këtë operacion Rama dhe Xhafaj po përdorin strukturat e policisë që janë krijuar dhe kanë për qëllim të gjurmojnë dhe luftojnë krimin dhe drogën për të gjurmuar dhe luftuar ata që që denoncojnë krimin dhe drogën. Ky operacion dëshmon se qeveria funksion si një pushtet privat kriminal në mbrojtje të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar ku janë përfshirë drejtuesit më të lartë të qeverisë”

Spaho, tha se ky operacion ka  garancinë dhe  mbrojtjen e Prokurorisë së Përgjithshme.

 "Këto operacione klandestine kriminale kanë garancinë e mbrojtjes nga prokuria politike e drejtuar nga Arta Marku, përfaqësuesja dhe shërbëtorja politike e dyshes Rama-Xhafaj. Këto veprime kriminale kanë garancinë e mosndëshkimit si rezultat i shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, paralizimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe kontrollit të plotë mbi sistemin e drejtësisë nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Sot, është më e domosdoshme se kurrë që Reforma në Drejtësi të kthehet në binarët kushtetues, për ta çliruar drejtësinë nga kapja që i ka bërë Edi Rama dhe, përmes tij, krimi i organizuar."

Basha mbledh urgjent zyrtarët e lartë të PD 

Për këtë çështje Basha zhvilloi sot paradite një mbledhje urgjente me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike, të cilët u interesuan dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Por Policia e Shtetit në një njoftim për mediat hodhi poshte pretendimet, ndërsa thotë se  nuk është e vërtetë që Lulzim Basha apo  familja e tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Sipas policisë, Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës, por nuk ka në asnjë moment, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë. 

Ndërkaq Ora News u interesua pranë Gardës së Republikës,  ku burimet theksuan se  Basha ruhet vetëm nga 2 efektivë, për shkak të fuksionit si kryetar partie.  Po të njëtat burime theksuan se efektivët që mbrojnë Bashën nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim për prezencë tjetër policore.

Lidhur me këtë reagoi dhe Kryeministri Edi Rama. 

Në një postim në facebook ai shkruan: Babalepartitë e babaleopozitës kanë shpikur sot një përgjim të Policisë së Shtetit për babalekryetarin e Partisë Babalokratike


Burimet bënë me dije se në takimin urgjent ishin të pranishëm nënkryetarët e PD, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, nënkryetarët e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka dhe deputetet Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji.

EMISIONET