Basha: Rama trajton deputetët si bagëti, shiten e blihen si në tregun e Milotit

Basha: Rama trajton deputetët si bagëti, shiten e blihen si në

Një ditë para protestës që opozita do të mbajë para kryeministrisë kryetari i PD-së Lulzim Basha është ndalur në Durrës. Në takimin me studentët ai i cilësoi deputetët që pranuan mandatin të shitur si në një pazar bagëtish, madje dhe si bashkëpunëtorë në krim.

Basha: Shikoni si e trajton parlamentin, si banja publike. Shikoni si i trajton deputetët, si bagëti që shiten e blihen si në pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të këtij pushteti, sesa shit-blerja, e të ashtuquajturve deputetëve të opozitës së re si të ishin bagëti. Provokimet me këta të mjerët që i peshkon sa andej këtej do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët dhe  nga opozita duke filluar me të shtunën, në 16 mars me protestën e madhe që do të zhvillohet në Tiranë. Unë ju ftoj të gjithë të jemi bashkë për ti treguar botës, se koha kur vendin e sundonte një njeri me 5 kriminelë ka marrë fund. Shqiptarët kanë vendosur ta marrin në dorë fatin e tyre dhe nuk ka për të pasur kthim prapa deri në fitoren e qytetarëve.

Duke risjellë në vëmendje blerjen e votave, Basha theksoi se kryetari i Bashkisë së Durrësit duhet të arrestohet.

Basha: Vangjush Dako e ka vendin në burg, jo se them unë, por sepse  ajo dosje që i ka kushtuar karrigen Fatmir Xhafës dhe kushedi sesa të tjerëve është prova ligjore sesi ky njeri është zbuluar para syve të shqiptarëve dhe gjithë botës nga përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare.

Duke ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e protestës, ai vlerësoi dhe pedagogët të cilët mbështetën protestën e studentëve.

Basha: Në Universitetin e Durrësit kanë qenë në krahun tuaj prej ditës së parë në protestën e drejtë të studentëve, e cila i solli më herët pranverën dhe i parapriu këtij zgjimi kombëtar.

Gjatë takimit Basha edhe një herë theksoi se opozita nuk tërhiqet nga vendimi i marrë dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe pa Ramën në krye të qeverisë.

EMISIONET