Basha propozon reformë radikale të sistemit zgjedhor. Qeveria kalimtare garante për votën e lirë

Basha propozon reformë radikale të sistemit zgjedhor. Qeveria

Kryetari i PD, Lulzim Basha në takim me të rinj dhe intelektualë prezantoi platformën për reformimin e sistemit zgjedhor. Sipas Bashës, reforma radikale synon qeverinë kalimtare, si garant për votën e lirë.  Basha tha se sistemi zgjedhor është jo vendim i partive politike, por edhe i popullit.

Basha: Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë. Shitblerja e votës shuan zërin e qytetarëve dhe i jep kontrollin një grushti politikanësh, biznesmenësh dhe kriminelësh të fuqishëm.  Reforma zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE.

Kryedemokrati Basha u shpreh se sistemi zgjedhor duhet të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë.

Ai  propozon ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.

Basha: Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.  Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat", u shpreh Basha.

Basha solli edhe shembujt e vendeve më të zhvilluara me Senat SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma.

Pesë ndryshime sipas kreut të PD për të realizuar këtë reformë janë:

Basha: "Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë. 

Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.

Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë."

Basha deklaroi se mënyra e zhvillimit dhe rezultati i zgjedhjeve ndikon direkt në jetën tonë. Me një rezultat të ndershëm tha ai  përfitojnë të gjithë shqiptarët.


EMISIONET