Dy janë rrugët për të zgjidhur situatën, që sipas Bashës, Rama e ka çuar. Ose koburja në brez, ose djegia e mandateve dhe protestave. Basha tha se opozita zgjodhi rrugën e dytë.

Basha tha se nuk do të lejojnë të ndodhin zgjedhje false në 30 qershor.

Basha: Është e paimagjinueshme ti thuash opozitës, futu dhe bëj zgjedhje. Jo vetëm do garosh me përdhunuesin, por përdhunuesi do jetë dhe kujdestar i këtyre zgjedhjeve, do të jetë arbitri i këtyre zgjedhjeve.

Ka dy rrugë për ta zgjidhur këtë:

Ose të futemi me kobure në brez, çka, siç ju thashë, e kemi refuzuar.

Ose rruga politike që kemi ndjekur, duke djegur mandatet, duke mos u bërë më pjesë e një parlamenti legjitim dhe duke thirrur shqiptarët të bashkohen.

Për çfarë?

Që të kenë të drejtën ata, të zgjedhin kryebashkiakët e ardhshëm, deputetët e ardhshëm, qeverinë e ardhëshme. Kjo është beteja! Në fund, do të jenë qytetarët që do të vendosin; Kë duan të zgjedhin deputet, se kujt duan ti japin shumicën për të qeverisur, se kë duan të zgjedhin kryebashkiak.

Por e gjithë kjo betejë bëhet që kjo e drejtë t’ju kthehet qytetarëve shqiptarë. Sepse sot, kjo e drejtë është asgjesuar nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin. Kjo është e vërteta e thjeshtë, e qartë, dhe që me sa duket, ndonëse e kam përsëritur shpesh, vazhdoj ta përsëris, përderisa ka njerëz që kanë iluzion se me 30 qershor do ketë zgjedhje. Do të ketë një tentativë të Edi Ramës për të përsëritur 2017-ën dhe 2016-ën. Kësaj rradhe, përveç kandidatëve të tij të krimit, do të ketë dhe kandidatë fallco nga opozita fallco, që bën pjesë e parlamentit fallco, qeveri fallco.

Kjo nuk mund të ndodhë!

Kjo nuk duhet të ndodhë!

Kjo nuk do të ndodhë!


/Ora News.tv/