Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi në Bashkinë e Devollit një takim me të rinj, ku renditi braktisjen e vendit nga rinia si problem numër 1 për vendin.

“Më shumë se gjysma e atyre që largohen nga vendi janë të rinj dhe të reja. 70 përqind e atyre që duan të largohen janë të rinj e të reja.” – tha Basha, duke vënë në dukje se ata që largohen janë profesionistë dhe të mirëshkolluar.

“Një vend, rinia e të cilit në shumicë kërkon të largohet, shkon drejt shuarjes” – u shpreh Basha, prandaj ky duhet të ishte prioriteti kryesor, përtej çdo ndasie politike.

Por kreu i opozitës tha se modeli i vetëm që ofron tani qeveria, është ai i krimit, çfarë ka sjellë zhgënjimin e të rinjve, përfshirë edhe ata me bindje të majta.

“Sepse pushteti i “Rilindjes” nuk ka vend për ta. Sepse vendin e tyre e kanë zënë njerëz me diploma false, njerëz të lidhur me krimin ose të dalë drejtpërdrejtë, jo nga universitetet, por nga qelitë e burgjeve. Ky është një model, i cili jo vetëm nuk frymëzon, por e largon rininë. Është modeli i promovimit të antivlerave. i mbrojtjes dhe promovimit të vesit, që vjen nga maja e hierarkisë politike të “Rilindjes” e zbret deri në bazë. Këtu në këtë model e gjejnë venndin të gjithë ata që bëjnë përpara me hile, të gjithë ata që bëjnë përpara përmes vesit, të gjithë ata të cilët pushtetin politik e shohin si një mënyrë për t’u pasuruar, për të vjedhur dhe jo për të shërbyer“u shpreh Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje rritjen e vështirësive që të rinjtë të vazhdojnë studimet e larta për shkak të rritjes së tarifave dhe uljes së mundësive për punë.  

“Ligji për Arsimin e Lartë ka shkatërruar çdo mundësi që të rinjtë të vazhdojnë studimet, të mbarojnë bachelor-in, të vazhdojnë masterin dhe të kalojnë në karrierën e punës pa u sforcuar.”

Basha krahasoi Shqipërinë pa asnjë vend të ri pune dhe pa investime të huaja, me Maqedoninë, ku jane investuar rreth 3 miliardë euro investime të huaja në teknologjinë e informacionit, duke krijuar mijëra vende të reja pune për rininë.  

“E vetmja zgjidhje që Edi Rama i ka lënë rinisë është ose të merret me drogë, ose të emigrojë. O një nga këto të dyja o mbetesh pa punë. Dhe si rezultat i kësaj rinia po zgjedh masivisht rrugën e emigrimit. Nëse kjo vazhdon vendi do të marrë fund “- paralajmëroi me shqetësim kreu i opozitës.

Basha tha se prioriteti numër një kombëtar është punësimi i rinisë dhe ai tregoi menyrën konkrete sesi rinisë mund t’i ofrohen shanse për një punësim real dhe me paga dinjitoze.

“Deri në vitin 2030 Gjermania do të ketë nevojë për 4 milionë profesionistë. Një pjesë e mirë e tyre nuk ka nevojë të shkojnë në Gjermani për të qënë pjesë e tregut gjerman.

Kjo shifër që ju them nuk është diçka as e lexuar dhe as e hamendësuar. Është diçka e komunikuar zyrtarisht tek unë si kryetar i opozitës dhe alternativës nga zyrtarët më të lartë gjermanë bashkë me shtetësimin se pse nuk po përfitoni nga kjo. 4 milionë vende pune nga të cilat një pjesë e madhe mund të kryhen këtu.

Le të marrim inxhinjerët konstruktivë. Ata që bëjnë ndërtesa industrial apo ndërtesa civile. Ata mund të punojnë nga shtëpitë e tyre apo nga studio e tyre dhe skanë nevojë të jenë në kryeqytet, por kudo dhe të ofrojnë shërbimet e tyre konkuruese për projektet e Gjermanisë, Austrisë, Italisë etj”- tha Basha.

Kreu i opozitës tregoi edhe çfarë do të bëjë qeveria që të rinjtë të përfitojnë nga mundëistë e punësimit.

“E para duhet të mundësojë që gjithë ata të rinj që përfundojnë universitetin të kenë mundësinë të kualifikohen për këtë profil të tregut me subvencionim nga shteti. Kur të mbarojnë universitetin të mos kenë mbetur në borxhe. Detyra e parë e jona që me ligjin e ri për arsimin e lartë ne të përgjysmojmë tarifat aktualë dhe të arrijmë që çdo i ri dhe e re shqiptare të ndjekë studimet në universitete pavarësisht nga mundësia apo pamundësia ekonomike e familjes.

E dyta , të mundësojmë profilizimin e rinisë pikërisht në ato degë të ekonomisë për të cilat sot ka një kërkesë dhe një etje në tregun europian dhe më gjerë.

E treta të mundësojmë bazën më të komplikuar që është nga bankat e shkollës dhe universiteteve në tregun e punës e cila kryhet në të gjithë Europën përmes stazheve të punës të paguara. Pra për çdo të ri dhe të re të sapodipomuar të ketë stazhe në fushën përkatëse të punës.’-shpjegoi Basha alternativën e opozitës në takimin me të rinjtë në Devoll, duke treguar se fatura e pagesës së stazheve është llogaritur rreth 8 milionë euro në vit.  

Kreu i opozitës argumentoi se për të realizuar këtë plan duhet vullnet dhe vizion i qartë politik, duke nisur me shkëputjen e qeverisë nga krimi dhe zgjidhjen e problemit të të gjitha problemeve - blerjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin.

“Pastrimi i politikës nga krimi është prioriteti dhe shërbimi i parë që i bëhet vendit dhe ekonomisë“- u shpreh Basha në takimin me të rinjtë e Devollit.  


/Ora News.tv/