Basha: Drejtësia të veprojë edhe me emra të botës së krimit dhe zyrtarë të PS,

Basha: Drejtësia të veprojë edhe me emra të botës

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha tha se shqiptarët presin që drejtësia të veprojë edhe me emra të botës së krimit që kanë mbështetje politike dhe zyrtarë të PS, të cilët sipas tij janë pjesë e grupeve kriminale dhe ndajnë me ta tendera dhe koncesione.

Basha: Ne duam të dimë, kur do të dalë Sajmir Tahiri para drejtësisë, i akuzuar dhe i interceptuar nga antimafia italiane, si njeriu kyç i drogës dhe i trafikut të drogës, kur ishte Ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe krahu i djathtë i Edi Ramës.

Ne duam të dimë, kur do të kapen dhe do të vihen përpara drejtësisë kokat e policisë, drejtorët në arrati të kupolës së Policisë së Shtetit, po kështu, të akuzuar si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të trafikut të drogës dhe bashkëpunimit me organizatat kriminale.

Ne duam të dimë, se kur do të dalë përpara drejtësisë Vangjush Dako, i akuzuar se ka bërë pazare, në shkëmbim të vjedhjes së votave, me tenderat dhe koçensionet, në Bashkinë e Durrësit, dhe më gjerë.

Ne duam të dimë se kur do të dalë përpara drejtësisë Qazim Sejdini dhe grupi kriminal i Elbasanit, nyjes ballkanike të heroinës.

Ne duam të dimë se kur do të kapen anëtarët e pakapur të bandës “Habilaj”, kur do të dalë përpara drejtësisë Klement Balili.

Ne duam të dimë se kur do të dalë përpara drejtësisë, kur do të hetohet Damian Gjiknuri, i akuzuar publikisht se ka bërë pazare me banditët, në shkëmbim të skemës së blerjes së votave, që në zgjedhjet e Dibrës, e deri në zgjedhjet e fundit në Vlorë dhe në të gjithë vendin.

Vetëm arrestimi i tyre do të dëshmonte se ka drejtësi dhe jo propagandë dhe farësë.

Basha: Pa u vënë këta njerëz para përgjegjësisë, pa funksionuar drejtësia, në këto raste flagrante të denoncuara me fakte nga opozita, nuk ka drejtësi, por ka vetëm propagandë, farsë dhe kjo përbën një rrezik për vendin. Kjo do të thotë që më së fundi, narko-shteti, i ka shtrirë tentakulat tek drejtësia duke pamundësuar drejtësinë e barabartë përpara ligjit për këdo, duke mbrojtur dhe duke fshehur përgjegjësinë penale të njerëzve me pushtet dhe pushtetarëve të lidhur me krimin.

I pyetur nëse drejtësia veproi për kryebashkiakun e Lezhës Basha tha këtë përgjigje:

Basha: Përse nuk është ndjekur i njejti standard për të njejtat akuza për dhjetëra pushtetarë socialistë? Erjon Veliaj po tjetërson pronë publike në qendër të tiranës, tek Teatri Kombëtar bashkë me Edi Ramën.

Basha ftoi qytetarët që të ushtrojnë presion ndaj drejtësisë që të veprojë e pavarur.

EMISIONET