Faza finale e zgjidhjes së krizës, Basha: Zgjedhje parlamentare dhe lokale në 1 ditë

Faza finale e zgjidhjes së krizës, Basha: Zgjedhje parlamentare dhe

Lulzim Basha i ka kërkuar kryesisë dhe ish-grupit parlamentar që të dalë në bazë për tu përgatitur për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë. Sipas tij zgjidhja e krizës, vjen vetëm duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje te lira e te ndershme.

Lulzim Basha mblodhi kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të PD, ndërsa në fjalimin e rreth 40 minutësh para tyre, ka theksuar se zgjidhje e krizës politike është në fazën përfundimtare, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se Basha u ka kërkuar zyrtarëve demokrat që të angazhohen dhe të përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në 1 dite.

“E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret në terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetarët për zgjedhjet si rrugë për zgjidhjen e krizës” mësohet të jetë shprehur shefi i opozitës.

Lulzim Basha, ka folur edhe për aksionin opozitar, ndërsa ka theksuar se nuk duhet të ketë asnjë iluzion për ndërprerje, ku krahas përgatitjeve edhe për protesta, sipas tij, do të vazhdohet edhe me përfundimin e programit dhe alternativës.

Në mbledhje janë shkëmbyer pikëpamje për situatën politike, ndërsa mësohet se ish-deputeti Ervin Salianji, ka mbështetur idenë e hapjes se partisë por ka kërkuar që paralelisht me këtë të vlerësohen figurat që sipas tij kanë kontribuar dhe kanë bërë betejë kundër qeverisë në këto 6 vite.

Saljanji, ka kërkuar që të bëhet kujdes dhe të mos u jepet peshë, ish zyrtareve të PD, që siç ka theksuar  ai janë përdorur nga Rama.

Ish deputeti demokrat i ka kërkuar që për reformën zgjedhore  ti marrë mendim çdo ish-deputeti, ndërsa sipas tij PD nuk duhet ta ketë kompleks ndryshimin e sistemit, madje ka propozuar listat e hapura.

Më e ashpër ka  qenë ish deputetja Grida Duma, e cila ka theksuar se PD nuk duhet të presë të vijë në pushtet si e keqja më e vogël, apo si votë kundër Ramës, por të ketë një platformë dhe strategji të qartë për vendin.

Duma ka shprehur edhe shqetësimin e vendimmarrjes, duke deklaruar se ajo duhet të jetë kolegjiale, ndërsa ka pyetur Bashën se kush janë individët të cilët janë angazhuar për reformat dhe programin?


EMISIONET