Basha për kundërshtarët: Shtrij dorën për gjithsecilin që dëshiron të kontribuojë

Basha për kundërshtarët: Shtrij dorën për gjithsecilin

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri thirrje kundërshtarëve të tij në parti që të bashkohen për të kontribuar, duke theksuar se ky bashkim nuk do të bëhet për pazare as për foto, duke shtuar se kishte zgjedhur të mos u përgjigjej akuzave të tyre edhe personale.

Basha: Kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. 

Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi por gjithçka që kam bërë e kam bërë me qëllimin për ti shërbyer njerëzve i bindur për problemet dhe rreziqet që iu kanoseshin atyre edhe vendit. 

Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshin. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit, kam dëgjuar mendimet tuaja, kam pranuar kritikat tuaja, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen tuaj.

Përvoja është një mësuese e dashur thoshte Frenklin. Unë kam besim se së bashku me ju, duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë tonë dhe do ta kthejmë atë në parti fituese. Sepse Partia Demokratike është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira të vendit. Por gjatë muajve të fundit ka pasur edhe akuza dhe sulme personale. 

Kam zgjedhur të mos i përgjigjem këtyre sulmeve sepse si kryetar partie më takon mua të parit të jem më i duruar, më i matur dhe të mos i përgjigjem inatit e luftës personale me inat dhe luftë nga karrigia e kryetarit. Ndaj dua sot sërish nga ky Kuvend i madh t'i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne për t'i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. 

Dora ime do të jetë e shtrirë jo për pazare as për poza fotografike por që së bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit i bindur se do të jetë më e lehtë të ndërtojmë urat që na bashkojnë se të gërmojmë hendeqet që na ndajnë. 

Politika është më e rrezikshme se lufta thoshte Churchill sepse në luftë vritesh vetëm një herë por kjo nuk më ka trembur as stepur se kurrë nuk e kam parë dhe as nuk do ta shoh politikën dhe as detyrën e kryetarit si një karrike privilegji. 

Unë i kam hyrë politikës dhe jam sot këtu para jush me vullnetin dhe dëshirën e madhe për ti shërbyer popullit dhe njerëzve.

I lutem Zotit të më udhëheqë në rrugën e drejtë për të bërë më të mirën për vendin, popullin tim dhe për partinë tonë, Partinë Demokratike të Shqipërisë.

EMISIONET