Basha: Kriza do të përfundojë me politikanë me pranga në duar

Basha: Kriza do të përfundojë me politikanë me pranga

Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar e kanë shpallur prioritet të tyre ndalimin e kapjes totale të ekonomisë dhe të politikës nga krimi.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu tha se zbulimi dhe rikuperimi i parave të vjedhura shqiptarëve është prioriteti absolut në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Në muajin shtator, tha Basha, PD do të bëjë të ditur planin kombëtar kundër krimit dhe pastrimit të parave. Hapi i parë do të jetë auditimi dhe hetimi pa përjashtim për çdo ndërtim dhe vepër publike.

Basha: "Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në pasuri private të zyrtarëve, oligarkëve dhe kriminelëve do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve."

Paketa ligjore qe po hartohet nga demokratët synon ndalimin e investimeve të parave të pista në ekonomi.

Basha: Ne do të bëjmë detyrim ligjor verifikimin e origjinës së të gjitha parave të investuara në ndërtim, në koncesione dhe në PPP.Paketa parashikon detyrimin e zyrtarëve për të paguar për vendimet korruptive që marrin.  Milionat e Beketit duhet të paguhen nga Edi Rama, jo nga qytetarët.

PD ka marrë ekspertizë të huaj për një program të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjerërsuara dhe të vjedhura të shqiptarëve.  Ky operacion me shtrirje ndërkombëtare është prioritet i të gjithë prioriteteve, që ditën e parë të qeverisjes me një qëllim: hetimin, zbulimin, gjurmimin dhe ndëshkimin e vjedhjeve dhe grabitjeve të Shqipërisë.

Hetimi i korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike dhe rikthimi i pasurive të vjedhura janë prioritet në këtë operacion.

Basha: “Ndiq paranë” do të jetë parimi i këtij operacioni në rrafshin e ligjeve të reja, në rrafshin e auditimit dhe kontrollit dhe në rrafshin e gjurmimit dhe rikuperimit kudo që ato të ndodhen. Kushdo që është i përfshirë, qofshin zyrtarë apo ish-zyrtarë, juristë, ministra apo kryeministra, shqiptarë apo të huaj do të jenë subjekt i auditimit dhe i kontrollit të pasurive të tyre private.

Shqipëria, tha Basha, nuk do të jetë tokë e djegur për ekonominë e investitorët dhe parajsë për krimin e organizuar dhe zyrtarët e korruptuar. Shqipëria do të kthehet në tokën e djegur dhe ferrin e organizatave kriminale të trafikimit të drogës, pastrimit të parave dhe të zyrtarëve të korruptuar.

Ai paralajmëroi se kriza politike shqiptare do të përfundojë me politikanë me pranga në duar.

Basha: Kjo do të jetë garancia që kriza të mos përsëritet dhe Shqipëria t’i ofrojë çdo shqiptari mundësitë, lirinë dhe dinjitetin për të jetuar me punë të ndershme.




EMISIONET