Kryetari i PD, Lulzim Basha mbylli protestën marshim të sotme (13 maj) me një fjalim të mbajtur para selisë. Pasi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, ai tha se nuk do të bëjnë pazar me të keqen, ndërsa theksoi se rruga që kanë nisur nuk do të ndalet.

Basha: Evropa nuk e kishte njohur këtë vendosmëri. Për mbi tre orë litarët e shiut e lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga zoti, me besimin tek vetvetja dhe tek njëri tjetri. Me bindjen se Shqipëria nuk dot ë kthehet kurrë aty ku ishte 3 muaj më parë. Mirënjohje për të gjithë ju, pjesë e këtij marshimi madhështor proteste. Mirënjohje e veçantë për të gjithë agjëruesit e ramazanit. Zoti iu shpërbleftë këtë sakrificë të dyfishtë.

Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka forcë të na detyrojë të bëjmë pazare me të keqen. E keqja do të ikë për ti hapur vend Shqipërisë si gjithë Evropa.

Le të jetë e sotmja mesazhi me të cilën do ta vazhdojmë këtë betejë. Të vendosur deri në fund, të fortë kurajoz për betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Evropa

Forca jonë është bashkimi, vendosmëria dhe kësaj forcë nuk i bën dot ballë as Edi Rama as banda e tij e inkriminuar.

Le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Misioni ynë është mision brezash. Është mision për të gjithë ata të majtë e të djathtë që e kanë kuptuar se vetëm përmes bashkimit mund ta gjejnë të ardhmen e tyre dhe lirinë e tyre.

/Ora News.tv/