Basha: Jemi me studentët, një ndryshim po lajmërohet këto ditë

Basha: Jemi me studentët, një ndryshim po lajmërohet këto

Kreu i PD, Lulzim Basha ka përshëndetur protestën e studentëve. Gjatë fjalës së tij në ditën e themelimit të Partisë Demokratike, ai tha se në Shqipëri një ndryshim po lajmërohet këto ditë.

BashaKëto orë nuk janë vetëm të kujtestës, këto minuta nuk janë vetëm të kujtestës. Tash, në këtë moment, ndërsa po flasim, janë orë të revoltës popullore, sepse studentët shqiptarë janë në rezistencë dhe sakrificë për liri dhe të drejtat, duke thirrur një dhjetor të dytë. Gjithë respekti sonte është për ta, nderimi është për ta.

Kjo është liria, kjo është demokracia, kjo është beteja që duhet luftuar çdo orë e çdo ditë, për ta mbrojtur demokracinë dhe për ta mbrojtur lirinë. Ne jemi me ta, Partia Demokratike është me ta, opozita është me ta, qytetarët janë me ta.

Prandaj sot sfida jonë më e madhe të dashur demokratë dhe demokrate, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit te njerëzve se politika do të veprojë në interesin e tyre. Sepse ky është edhe kushti për kthimin e besimit te njerëzve tek e ardhmja.

Me këtë barrë të rëndë në shpatulla jemi mbledhur sot këtu e nuk duhet ta fshehim, të rinjtë ishin frymëzimi, ishin forca që sollën ndryshimin, pluralizmin dhe demokracinë.

Qytetarët e bashkuar kanë bërë ndryshime historike dhe një ndryshim i tillë po lajmërohet këto ditë në Shqipëri. Shpirti dhe krenaria e saj, të rinjtë janë përsëri në këmbë.

Kjo lëvizje është shumë më shumë sesa thjesht dhe vetëm për tarifat universitare. Është shumë më shumë sesa thjesht dhe vetëm për të drejtat e tyre elementare për arsimin e lartë.

Është shumë më shumë sesa kjo që shohin sot. Është armatosja me guxim dhe kurajo për çdo qytetar shqiptar, për prindërit e tyre, për vëllezërit dhe motrat e tyre që të mos heshtin kurrë më; kur qeveria i mashtron, i nëpërkëmb, iu merr bukën e fëmijëve nga tavolina, kur i vjedh, iu shemb shtëpitë dhe pastaj tallet me ta.

Prej 8 ditësh kemi dëgjuar thirrjen e shpirtit të të rinjve që shohin se si prindërit e tyre futen në borxhe për t’i arsimor, që shesin gjithçka për t’i krijuar mundësi fëmijëve që të shkojnë në universitet apo në shkollë. Kjo është ulërima e dhimbjes së dhjetëra, qindra, mijëra familjeve që e kanë të pamundur të sigurojnë shkollën e fëmijës.

Por kjo që po ndodh sot, është përgjigjja e bijve dhe bijave të tyre. Më të mirët mes nesh, rinia studentore e Shqipërisë dhe të rinjtë e gjimnazeve e shkollave shqiptare. Kjo lëvizje është garancia, mekanizmi mbrojtës i demokracisë, që të mos kemi më një qeveri të verbër e të shurdhër, është mësimi për këdo që injoron dhe nëpërkëmb zërin e qytetarëve. Dhe në fund të fundit, kjo është mrekullia e rinisë që celebrojmë çdo dhjetor.


EMISIONET