Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me bizneset e vogla në Tiranë, ndërsa tha se bllokimi që bëhet në fundjavë është i paligjshëm. Bizneset ju ankuan atij për pagat e luftës, duke theksuar se janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet, ndërsa thonë se faturat e ujit dhe dritave janë të fryra.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me dhjetëra biznese në zonën mes Brryllit dhe Xhamllikut në Tiranë. 

Pronarët  shprehen se pagesa e dhënë nga qeveria  në kuadër të masave për koronavirusin është shumë e vogël për të mbyllur shpenzimet e muajit.

Ata ankohen për taksa më të rritura dhe me fatura më të larta për ujin dhe energjinë.

“Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje.”- tha pronari i një dyqani të vogël.

“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qeranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin- tha pronarja e një dyqani veshjesh.

Bizneset shprehen se për shkak të pamundësisë për t’i paguar, ata kanë larguar nga puna shumë njerëz.

Ata e shohin të pa vend mbylljen që qeveria bën në fundjavë.  Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha,  e quajti të jashtëligjshme mbylljen.

 Basha: Duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka.

Biznesi: Epo mesa duket këtë qëllim ka qeveria, të shkatërrojë biznesin. Me statuse “Facebook”-u kujtohet te të lajmërojë në 21:30 të darkës. Unë e kisha bllok, detyrova ta zhbllokoja që të shihja statusin a mund ta hapja dyqanin nesër. Këtu jemi katandisur.

Basha: Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë.

Kreu i opozitës i inkurajoi bizneset e vogla të rezistojnë ndërsa garantoi se PD nesër në qeveri do ti ketë në vëmendje.

 


/Ora News.tv/