Basha: BE të vazhdojë mbështetjen e Shqipërisë, kriza ekonomike është thelluar

Basha: BE të vazhdojë mbështetjen e Shqipërisë, kriza

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë, pasi kiza ekonomike sipas tij që ka përfshirë vendin është thelluar me numrin e lartë të vendeve të punës të humbura gjatë këtyre 2 muajve.

Në Samitin e Liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të Partisë Popullore Europiane (PPE), në kuadër të Samitit të Zagrebit, kreu i opozitës shprehu mirënjohjen për konfirmimin e vullnetit nga ana e BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë, ndërkohë që tani gjithçka varet nga plotësimi i 15 kushteve të vendosura nga BE.

"Plotësimi dhe zbatimi i këtyre kushteve është rruga drejt hapjes së negociatave dhe zgjidhjes së krizës së thellë politike në vend", është shprehur Basha.

Po ashtu kryedemokrati shprehu domosdoshmërinë e reagimit të shpejtë për të ndalur zhbërjen e standardeve demokratike dhe të proceseve zgjedhore, goditjen ndaj drejtësisë së pavarur dhe lirisë së mediave, siç është faktuar edhe nga raporti i fundit i Freedom House.

"Kërcënim real për mirëqenien dhe demokracinë përbën edhe rritja e nivelit të korrupsionit, siç konstatohet nga Transparency International. Rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore jo vetëm për transformimin politik dhe social-ekonomik të vendit dhe rajonit, por dhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, si dhe janë në interesin më të mirë të popujve tanë, theksoi Basha.

Kryedemokrati Basha nënvizoi se Partia Demokratike është plotësisht e përkushtuar për ta bërë realitet integrimin europian të Shqipërisë, ashtu si për anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza. “Në këtë drejtim, përmbushja e 15 kushteve është çelësi i suksesit për të ecur përpara.”- u shpreh zoti Basha.

EMISIONET