Basha apel qytetarëve për 30 qershorin: Dhuna dhe viktimat i shërbejnë vetëm Edi Ramës

Basha apel qytetarëve për 30 qershorin: Dhuna dhe viktimat i

Kur kanë mbetur vetëm pa orë nga zgjedhjet e 30 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë të jashtëzakonshme nga selia blu apeloi mbështetësit demokratë për vetëpërmbajtje dhe të mos bien pre e provokimeve për dhunë.

Basha tha se dhuna dhe viktimat shkojnë në favor të regjimit të Edi Ramës dhe se fundi i tij vjen vetëm duke e braktisur dhe izoluar.

Basha: Ky regjim është plagosur dhe do të rrëzohet shumë shpejt. Ka shumë njerëz që mendojnë se me autokratë si Edi Rama, dhuna është i vetmi mjet për ta hequr. Unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja. Forca jonë është te këmbëngulja, duriomi dhe kurajoja jonë. Asnjë rezultat dhe pushtet politik që del nga dhuna nuk ka sjellë gjë të mirë për popujt.Nga dhuna nesër nuk përfiton askush veç Edi Ramës. Dhuna dhe viktimat i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Rrëzimi i Edi Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët mes njëri-tjetrit. Fundi i Edi Ramës po vjen nga braktisja dhe izolimi i tij.

Për nesër, Basha pati këtë thirrje: "Mos bini pre e institktit të dhunës, mos bini pre e provokimit për dhunë. Unë ju bëj thirrje të mos votoni. Ngrijeni zërin nesër në protesta, sfidojeni regjimin në mënyrë paqësore".

Shefi i opozitës tha se të dielën njerëzit nuk kanë asnjë zgjedhje.

Basha: Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë, por nesër nuk do të ketë liri dhe nuk do të ketë shprehje të vullnti. Nesër do të shkelet Kushtetuta. Unë dhe demokratët nuk besojmë te dhuna. Sot i them cdo demokrati: Jini krenarë sepse i kemi bërë një shërbim Shqipërisë duke mos rënë pre e dhunës. Ky regjim është plagosur për vdekje dhe do të rrëzohet shumë shpejt.

Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Të dashur bashkëqytetarë!

Nesër në Shqipëri nuk ka zgjedhje.

Zgjedhjet janë mekanizmi se si njerëzit vendosin për qeverisjen që duan, por nesër njerëzit nuk kanë asnjë zgjedhje.

Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve. por nesër nuk do të ketë liri dhe nuk do të ketë shprehje vullneti.

Zgjedhjet janë mekanizëm kushtetues dhe ligjor, por nesër do të shkelet Kushtetuta dhe ligji në një proces antikushtetues dhe thellësisht kriminal.

Të dashur bashkëqytetarë:

Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore.

Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike.

Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura,

Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës!

Ndaj sot dua t’i them çdo demokrati dhe qytetari që është bashkuar në përpjekjet tona: Jini të gjithë krenarë, sepse i kemi bërë një shërbim të madh Shqipërisë, duke mos rënë pre e dhunës së orkestruar nga Edi Rama!

Unë jam krenar me dinjitetin, qytetarinë dhe kurajon tuaj!

Falë tyre, ky regjim është plagosur për vdekje dhe do të rrëzohet shumë shpejt!

Unë e di se ka shumë njerëz që mendojnë se me autokratë si Edi Rama, Dhuna është i vetmi mjet për ta hequr, se Edi Rama nuk kupton asnjë gjuhë tjetër, veç asaj të dhunës.

Këtë opinion ma kanë shprehur shumë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Ma kanë shprehur shumë qytetarë, analistë politikë e të tjerë.

Por unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja.

Unë besoj se forca jonë qendron tek drejtësia e asaj që kërkojmë. Qëndron tek këmbëngulja, durimi dhe kurajo jonë.

Asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt dhe për qeverisjet e tyre.

Dhuna prodhon ndërrime mekanike të pushtetit, pa bërë asnjë pastrim dhe transformim.

Dhuna krijon përligje kriminale tek ata që vinë në pushtet prej saj

Unë besoj se nga dhuna në 30 qershor nuk përfiton askush përveç Edi Ramës.

Asnjë lëndim, asnjë plagë shqiptarësh, nuk vlen për asgjë.

Dhuna dhe viktimat i vlejnë vetëm Edi Ramës. Ai do arsye. Ai kërkon të sigurojë pretekstin e kundërshtarit të dhunshëm për të justifikuar represionin e shtetit të tij të kriminalizuar policor për të justifikuar dhunën dhe abuzimet dhe krimet që ka kryer deri tani.

Rrëzimi i Edi Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin. Nuk do të vijë duke goditur, duke rrahur apo lënduar njëri-tjetrin.

Fundi i Edi Ramës po vjen nga braktisja e tij.

Nga distancimi prej tij.

Nga izolimi i tij.

Ky fund është pranë dhe, mbi të gjitha, sepse përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë thellësisht europiane, thellësisht parimore dhe jo për pushtet personal.

Përgjegjësia dhe detyrimi im kryesor dhe, mbi çdo gjë tjetër, është interesi publik, është mirëqenia e njerëzve. Ky interes vjen mbi çdo interes partiak, vlen para çdo interesi vetjak.

Ndryshe nga Edi Rama që, për pushtetin e tij personal, është i gatshëm t’i çojë nesër shqiptarët në vëllavrasje, unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, të çdo socialisti dhe çdo qytetari shqiptar.

Ndaj, për nesër unë kam vetëm një thirrje: Mos bini pre e instinktit të dhunës! Mos bini pre e provokimeve për dhunë!

Unë ju bëj thirrje të mos shkoni të votoni, të bojkotoni!

Nëse jeni të detyruar të shkoni në qendrat e votimit nga hakmarrja e regjimit, rezistoni! Regjimit po i vjen fundi! Nuk kanë çfarë t’ju bëjnë!

Ngrijeni zërin nesër në protesta në rrugë dhe në sheshe!

Sfidojeni regjimin kudo!

Në mënyrë paqësore!

Nesër është dita për të treguar vullnet me bashkim, me qëndresë dinjitoze, me vendosmëri dhe jo dhunë!

Në këtë ditë të keqe për Shqipërinë, forca jonë janë vlerat që ne tregojmë, parimet mbi të cilat ne veprojmë!

Ne duam të jemi europianë dhe duhet të sillemi si europianë! Nesër dhe çdo ditë!

Nesër duhet dhe do të dallohet qartë diferenca mes dhunës së autokracisë kriminale të votimeve farsë dhe dinjitetit të një populli të tërë të bashkuar që sfidon regjimin.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

EMISIONET