Banka Botërore: Ekonomia shqiptare tkurret me 5%

Banka Botërore: Ekonomia shqiptare tkurret me 5%

Banka Botërore projekton që ekonomia shqiptare të ngadalësohet këtë vit dhe të rikuperojë vrullshëm humbjet vitin që vjen. Ndërkohë bota do bjerë në recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekonomia shqiptare pritet të tkurret fort për shkak të pandemisë, por vitin e ardhshëm vendi mund të shënojë rritjen më të lartë të 2 dekadave të fundit.

Një raport mbi Perspektivat e Ekonomisë Globale i publikuar nga Banka Botërore, tregon se për Shqipërinë, turizmi pritet të jetë sektori që do vuajë veçanërisht pasojat e koronavirusit të ri.

Një rol jo të vogël në këtë rezultat luajnë edhe tërmetet e vitit të kaluar me bilancin e tyre fatal për sa i përket jetëve të humbura por edhe dëmeve në infrastrukturë.

Për këtë arsye, projeksionet janë që performanca ekonomike e Shqipërisë të ulet me minus 5 për qind në 2020-ën.

Megjithatë vitin e ardhshëm ringritja mund të jetë e vrullshme, rreth 8,8 për qind do rritet prodhimi i brendshëm, vlerë kjo më e larta për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.

Për Ballkanin Perëndimor, aktiviteti ekonomik parashikohet të tkurret me 3,2 për qind këtë vit dhe të rritet sërish në 4,6 për qind në vitin 2021, në varësi të rikthimit apo jo të besimit të konsumatorëve, të bizneseve, por edhe stabilitetit politik.

Mes fqinjëve, Kroacia dhe Mali i Zi në vitin 2020 pritet të shënojnë uljen më të fortë ekonomike, përkatësisht me minus 9,3 dhe minus 5,6 për qind, Kosova -4,5 për qind, Serbia -2,5 dhe Maqedonia e Veriut edhe më mirë, -2,1 për qind rënie ekonomike.

Sipas organizatës bankare, problematikë për klimën e biznesit në rajon mbetet rritja e detyrimeve fiskale.

''Ndërkohë ekonomia globale pritet të tkurret me 5,2 për qind gjatë vitit, si pasojë e tronditjes nga pandemia. Me këtë shkak, Banka Botërore parashikon që izolimi i ekonomive më të avancuara për shkak të koronavirusit do të sjellë recesionin më të thellë që prej Luftës së Dytë Botërore.''

Kjo fazë është raportuar për SHBA-në që në muajin shkurt në kohën kur mbi 40 milionë amerikanë kanë humbur punën nga masat parandaluese ndaj kovidit.

Ekonomitë në zhvillim pritet të ngadalësohen me 2,5 për qind për herë të parë në 60 vjet, ndërsa të ardhurat për frymë të tyre do bien me 3,6 për qind.

Presidenti i Bankës Botërore, Dejvid Malpes njoftoi se: "Me vlerësimet e momentit, 60 milionë njerëz do kalojnë në varfëri ekstreme brenda 2020-ës, dhe kjo shifër do të varet së pari nga rihapja e ekonomive të avancuara."

EMISIONET