Presidenti, Ilir Meta, ka dekoruar organizatën e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në 75-vjetorin e çlirimit. Në ceremoni, Meta ftoi dhe kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili në përfundim, tha se vizita e tij nuk e legjitimon institucionin, pasi nuk ka lidhje me nderin që iu bë veteranëve.

Presidenti, Ilir Meta, i ka dorëzuar dekoratën e lartë Nderi i Kombit organizatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit.

Në facebook, Meta shkruan se edukimi i brezave të rinj me ndjenjat atdhedashurisë dhe patriotizmit, është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.

Përmes një shkrese zyrtare që mban datën 20 dhjetor, Kreu i Shtetit ka ftuar edhe kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili mbërriti në presidencë 5 minuta para.

Në mbyllje të ceremonisë, Balla tha për Ora News se vizita e tij nuk e legjitimon institucionin e Presidencës, pas 3 muajve betejë ligjore për shkarkim.

Balla: Rrustem Preçi në emër të organizatës dhe bashkë me shokë të tjerë të tij dhe shoqe të tjera të tij morëm pjesë në këtë ceremoni që përmbyll këtë vit të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut.

Pyetje: A po e legjitimonin institucionin e Presidencës me pjesëmarrjen tuaj, duke pasur parasysh se keni tre muaj që doni ta shkarkoni Presidentin e Republikës?

Balla: Kjo nuk ka asnjë lloj lidhje me nderin që ju bë sot Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

/Ora News.tv/