Për mazhorancën nisma e presidentit Meta është e qëllimshme dhe synon të bllokojë procesin e integrimit. Madje Taulant Balla shprehet se kreu i shtetit e ka kthyer zyrën në seli të opozitës

Taulant Balla: Presidenti aktual është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës.

Edhe një herë sekretari I përgjithshëm I PS ktheu në vëmendje komisionin hetimor ndaj presidentit

Taulant Balla: Ne nuk kemi një krizë me Presidentin, por ka Presidenti një krizë me Ilir Metën. Ilir Meta është një institucion në hetim parlamentar në një Republikë Parlamentare sipas Kushtetutës për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Për Ballën ndryshimet në ligjin për betimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese janë bërë për të mos lejuar bllokimin e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

Taulant Balla: Kuvendi i Shqipërisë, nisur nga modelet e reja të implementuara me paketën e Reformës në Drejtësi, për të krijuar mekanizmat zhbllokues në çdo rast bllokimi nga një institucion, si përfaqësuesi direkt i sovranit është vlerësuar që në çdo rast asnjë prej autoriteteve të mos pengojë ecjen përpara të procesit të zgjedhjes së institucioneve të reja të drejtësisë në vend.

Duke iu përgjigjur kësaj deklarate zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi shprehet me ironi se mazhoranca e ka festuar tre herë hapjen e negociatave. Ndërsa shton se ngritja e gjykatës kushtetuese është kyçe për çeljen. Madje ai paralajmëron se shumë shpejt do të dalin fakte të reja.

/Ora News.tv/