Athina reagon ndaj deklaratës së Hahn, e akuzon se “minon” negociatat me Shkupin

Athina reagon ndaj deklaratës së Hahn, e akuzon se “minon”

Qeveria greke ka reaguar me ashpërsi ndaj një deklarate të komisionerit Johanes Hahn se Athina dhe Shkupi do të arrijnë marrëveshje brenda dy javëve të ardhshme.

“E ftojmë komisionerin Hahn të mos vazhdojë dhënien e pamjeve të gabuara mbi negociatat, të cilat siç tregojnë gjasat, nuk i kupton. Më e pakta që mund të bëjë, është të ndalojë minimin e tyre”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së Jashtme greke, publikuar vonë, mbrëmjen e të martës.

Paraditen e të martës, komisioneri Johannes Hahn kishte deklaruar në parlamentin europian se: “Jam optimist që dy javët e ardhshme do të kemi një zgjidhje. Të paktën një zgjidhje që do të hapë rrugën për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.

Por edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev konsideron dy javët që tha komisioneri “janë jashtëzakonisht pak” për të çuar deri tek zgjidhja.

Negociatat kanë ngecur në këmbënguljen e Shkupit për të mos pranuar dy nga kushtet e Athinës, ndryshimin e emrit kushtetues dhe rishikimin e kushtetutës së vendit.

Ndërhyrja e komisionerit Hahn dhe reagimet, u shënuan pak orë para se ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Maqedonisë të fillojnë një takim tjetër në Vienë. Në këtë takim, pasditen e të mërkurës, do të jetë prezent edhe i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Matthew Nimetz.

EMISIONET