Arrestimi i të rinjve të AAK-së për protestën kundër heqjes së taksës, Haradinaj kërkon lirimin e tyre

Arrestimi i të rinjve të AAK-së për protestën

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë realizuar sot një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke e vendosur një arkivol, që sipas të rinjve të AAK-së, simbolizon varrosjen e premtimeve nga Qeveria Kurti.

Të rinjtë e AAK-së në arkivol kanë vendosur mbishkrime “Reciprociteti”, “Parimet”, “Premtimet”, “Taksa 100 për qind”.

Pas këtij aksioni të të rinjve të AAK-së, ka reaguar kjo parti duke dënuar ashpër arrestimin e aktivistëve të tyre, shkruan Telegrafi.

Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të kësaj partie.

Ai theksoi se trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi.

Reagimi i plotë

''Dënoj ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjëve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi. I bëjmë thirrje pushtetit dhe institucioneve të rendit, që të lirojë menjëherë aktivistët e arrestuar, dhe të mos ua shkelë të drejtën e garantuar të kundërshtimit paqësor e politik qytetarëve të Republikës së Kosovës.''


EMISIONET