Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur për largimin e Nikolla Gruevskit në Hungari pas dënimit të tij me dy vjet burg.. Në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve, kreu i shtetit shqiptare edhe pse ishte i rezervuar në komentet për këtë çështje tha se në një farë mënyrë Gruevski ka pranuar fajësinë e tij.

Ilir Meta: Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t'i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë.

Ai solli në vëmendje edhe një rast personal, ku në vitin 1992 Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar flet arrest. Në atë kohë tha Meta, iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por nuk e pranoi.

Ilir Meta: Kam edhe një rastin tim në vitin 1992 në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe nuk isha ketu dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje padashje e njerëzve të painformuar. Për këtë cështje prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri nuk e pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe të qëndrojnë si burrat.

/Ora News.tv/