Armando Cungu: Falë Zotit u zhbllokua Reginaldo, kampionati jo i lehtë

Armando Cungu: Falë Zotit u zhbllokua Reginaldo, kampionati jo i lehtë

Kukësi mori fitoren e parë në Kategorinë Superiore për sezonin 2018-2019. Verilindorët mposhtën 3-1 Tiranën, një fitore që për teknikun e tyre Armando Cungu erdhi si rrjedhë e lojës së mirë dhe fatit.

Në intervistën për "Supersport" pas ndeshjes, ai u shpreh i kënaqur me ekipin e tij, për më tepër për pikët që mori.

Cinik sot, 3 gola dhe mund të shënonit edhe më shumë. I kënaqur?

Në përgjithësi, të fitosh 3-1 ndaj Tiranës, të gjithë do ishin të kënaqur. Aq më tepër që më në fund arritëm të shënonim. Edhe 2 ndeshjet e para, i kemi bërë më të mira se kundërshtarët, por na ka penalizuar finalizimi. Falë Zotit u zhbllokua Reginaldo. Mund të shënonim edhe me rastin e Harbës, por u ngutëm në disa momente, pasi me pak qetësi, mund ta kapnim kundërshtarin prapa shpine.

Çfarë i duhet Kukësit që të jeni për titull?

Kukësit i duhet të punojë shumë më tepër, duhet të jemi shumë më seriozë, më të thjeshtë, dhe pak fat, se nuk e kemi pasur me vete në këto dy ndeshjet e para. Kampionati nuk është i lehtë. Nuk mund të rrish i qetë para asnjë ekipi, dhe duhet të jemi shumë seriozë, duhet t’i marrim ndeshjet një pas një. Dy javët e para nuk gabuam në lojë, por tek pikët, aty ku ka rëndësi.

Ndeshja sot ishte shumë e lehtë për t’u fituar. Jeni i surprizuar me Tiranën?

Nëse doni të dini të vërtetën, nuk mu duk e lehtë Tirana. Në 30 minutat e para, me vendosjen e tyre në fushë, na surprizoi, sepse nuk po mbyllnim dot zonat. Erdhi goli, dhe u prishëm balancat, dhe më vonë, me futjen e Kalasë, arritëm të gjenim ekuilibrin. Tirana u mundua të luante futboll, kishte qarkullim topi, por natyrshëm edhe ata patën defektet e veta. Nuk bëjmë mirë të paragjykojmë asnjë ekip. Ka lojtarë që kanë eksperiencë, dhe ndoshta i duhet kohë. E kuptoj, fillojnë 10 ekipe, dhe të gjitha janë për kampion. Duhet të jemi të logjikshëm, t’i japim kohë, pavarësisht dëshirës që kemi për të dalë kampion.

U kujtua ndeshja me Laçin, kur shkuat 2-1?

Në futboll nuk ka kurrë siguri, eksperiencat kanë treguar edhe epërsi me 3 gola. Nuk është e lehtë, duke parë emrin e Tiranës. Patëm një neglizhencë, pasi kishte edhe shumë minuta, dhe pata frikë. Fati jonë ishte sepse shënuam golin e tretë shumë shpejt.






EMISIONET