Ardian Mema rikthehet në familjen bardheblu: Vij këtu për tu shpallur kampion!

Ardian Mema rikthehet në familjen bardheblu: Vij këtu për tu

Rrugët e ish-futbollistit Ardian Mema dhe Tiranës janë kryqëzuar sërish, por këtë herë 48 vjeçari është rikthyer te bardheblutë nën petkun e trajnerit. Ditën e sotme tekniku i sapo emëruar nga presidenti Refik Halili tha në konferencë për shtyp se vendimi i tij për tu transferuar te skuadra kryeqytetëse nuk ishte i lehtë. Ai analizoi situatën, ndërsa vuri theksin te aspekti psikologjik dhe këmbnguli se merkaton do ta bëjë ai dhe jo presidenti Refik Halili.

“Tirana është klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub. Me thënë të drejtën e prita pak me skepticizëm për shkak se situata që po kalonte nuk ishte fort e këndshme. Të them të drejtën është shumë kalendar i vështirë. Kemi 3 ndeshje jashtë. Me gjithë atë i gjithë grupi bashkë do ta lerë pas këtë situatë”, tha ai në prezantim.

Çfarë mund të ndryshoni te Tirana?

“Mu desh vetëm 10 minuta për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve. Që të premten që u ktheva nga Vlora erdha direkt në stërvitje. Lojtarët janë në një gjendje jo të mirë psikologjike. Na mbetet për detyrë të punojmë në këtë drejtim. Kam folur gjatë me sportistët këto 2 ditë dhe më kanë mjaftuar për të mësuar të gjithë problematikën çfarë ka nga brenda. Këtë problem nuk e kaloj dot vetëm. Të gjithë së bashku mund ta kalojmë. Duhet të fus frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira. Shpresoj që ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë se periudha që po kalon. Kjo nuk bëhet as me deklarata për shtyp dhe as më fjalë ndaj sportistave. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë të gjithë së bashku për të arritur rezultatet që janë të pritshme nga opinioni publik. Janë njerëz shumë sensibël. Duan të shohin ekipi në 4-shën e parë. Kjo arrihet vetëm duke ulur kokën dhe duke punuar të gjithë së bashku.

Ju jeni pjesë e dinastisë Mema, stafi bardheblu, por si ju duket kjo Tiranë, me shumë lojtar të huaj në përbërje?

Unë jam i përgjegjshëm për çfarë po më pyesni se kam qenë pjesë e këtij klubi dhe e di shumë mirë. Kam lidhje shpirtërore të themi. Këtë ide do të transmetoj te lojtarët. Këto janë ide shumë të mira që grupi të ketë një lloj motivimi. Lojtarët duhet të dinë të paktën historinë e klubit të Tiranës. Do mundohemi të fusim frymë të mirë në ekip sepse kjo është shumë e rëndësishme. Koha është  e pamjaftueshme, unë thjesht do të shfrytëzoj rastin për të futur frymën në ekip.

Largoheni nga Flamurtari dhe gjeni Flamurtarin në debutim, çfarë do të thotë kjo për ju?

Ato i falenderoj shumë, sepse më pritën mirë. U ndamë mirë, dhe më lejuan të vij te Tirana. Flamurtari është një ekip i mirë, sepse ka trajner Ilir Dajën. Unë kam punuar gjatë me të, është trajneri më i mirë në Shqipëri. I përgatit mirë ndeshjet. Unë e njoh gjendjen atje, dhe do e përgatis mirë këtë ndeshje.

Daja apo ju më i favorizuar në këtë duel?

Unë them se është Daja, edhe nga tabela e klasifikimit. Përpos kësaj, Daja ka kohë që punon me atë ekip. Ne nuk shkojmë të dorëzuar në Vlorë, shkojmë për rezultat pozitiv.

Dëmtimet?

Dëmtimet kanë bërë të veten, nuk kam ardhur në një moment të mirë. Blazhevski është i fundit që na u dëmtua. Fola me mjekët, dhe mendoj se nuk ka asgjë serioze, ndoshta mund të jetë edhe në fushë.

Sa i kënaqur jeni me kontingjentin e lojtarëve që keni gjetur?

Ka dy gjëra këtu. Kur një trajner është në kohën e merkatos, dhe bën zgjedhjet e veta, por në kushtet që jemi tani, do përshtatem unë me lojtarët. Jam para faktit që disa mund të më pëlqejnë, por disa mund të kenë probleme, por do i përshtatem unë lojtarëve që kam në dispozicion.

Sa e vështirë është që të gjeni ekuilibrat në momentin e duhur?

Koha është e pamjaftueshme, sepse 2 ditë kam këtu. Do mundohem që lojtarëve t’i shpreh filozofinë time të punës dhe përgatitjen e ndeshjes. Duhet pak kohë të implementojnë atë që dua unë. Do kemi ngarkesë këtë javë. Do kemi analiza me video, stërvitje dy herë. Të mërkurën do kemi një analizë me video, më pas do mblidhemi të gjithë për një kafe. Duhet të jemi të gjithë bashkë.

Objektiv Europa?

Unë nuk dua të flas për objektiva tani. E thjeshtë, sepse duhet të dalim nga kjo gjendje. Më pas, do flasim për objektiva.

Halili tha që tani do vendosi ai për gjithçka tani. Në merkaton e janarit, do vendosi ai apo ju?

Unë kam një akord me presidentin. Për lojtarët që do thirren, do vendos unë. Kjo është e padiskutueshme.

Dëshira në këtë moment?

Tirona kampion!

EMISIONET