Shqipëria ka humbur 6.3 pikë gjatë vitit 2019 në treguesit e investimeve sipas agjensisë ndërkombëtare 'Fitch'. Presidenti Ilir Meta thotë se një nga faktorët që ka ndikuar në përkeqësimin e klimës për investimet është edhe situata e rëndë politike në vend. Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, shprehet se Shqipërisë i duhen politika të mirëstudiuara që të ndalin krizën.

Agjensia ndërkombëtare 'Fitch' vlerëson se në vitin 2019, Shqipëria është përkeqësuar në treguesit e investimeve, nga niveli 59.8 në 53.5.

Për këtë, Presidenti Ilir Meta, shpreh shqetësimin duke i tërhequr vëmendjen edhe aktorëve politik.

Në një postim në facebook, Meta shkruan se arsyeja kryesore për rënien e Shqipërisë në klasifikim, është kriza politike,

Meta: Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend. Ndaj duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut. Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  shkruan se shanset për investimet në vend po zvogëlohen.

Basha: Sipas agjensisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch, në vitin 2019 Shqipëria është bërë një vend edhe më i rrezikshëm për të investuar. Shanset tona për të tërhequr investime, të cilat i kemi shumë të nevojshme, po zvogëlohen përditë. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është lodhur nga dështimet e kësaj qeverie.

Basha shkruan se Shqipëria ka njerëzit dhe burimet e duhura për të ecur përpara dhe i duhen politika serioze dhe të mirëstudiuara që të ndalin krizën.


/Ora News.tv/