Presidenti, Ilir Meta, ka kërkuar prej partive politike të reflektojnë, pasi vendi është në krizë kushtetuese dhe përfaqësimi. Madje, në situatën e krijuar, Kreu i Shtetit ka kërkuar që politikanët të marrin përgjegjësitë e tyre dhe nuk duhet të fshihen pas ndërkombëtarëve, apo pazareve.

Presidenti, Ilir Meta, është shfaqur i ashpër ndaj të gjithë partive politike, duke akuzuar se nuk i janë përgjigjur ftesave për tryezë por kanë  nxituar të prodhojnë kriza. 

Pas konferencës për nxitjen e kujdesit paliavit në dobi të kulturës së dashurisë, duke iu referuar djegies së mandateve prej opozitës, Meta bëri edhe një herë thirrje për reflektim, duke theksuar se vendi është në krizë përfaqësimi.

Ilir Meta:"Dua t'ju siguroj juve dhe të gjithë shqiptarëve se Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze, jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale por dhe përfaqësimi tashmë është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për të thelluar këtë krizë. Por përsëri është detyra ime të bëjë thirrje për reflektim nga të gjithë sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të qytetarëve të tanë të cilët kërkojnë normalitet por njëkohësisht edhe të vazhdojmë të shtojmë kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në këtë rajon dhe me sfida të rëndësishme dhe kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim".

Duke folur për zgjidhjen e situatës, Kreu i Shtetit shtoi se partitë politike nuk duhet të fshihen as pas ndërkombëtarëve.

Ilir Meta:"Mendoj se klasa politike të mbajë përgjegjësitë e saj dhe të mos fshihet pas asnjë ndërkombëtari. Çështja të zgjidhet në mënyrë transparente dhe larg pazareve dhe shpërdorimeve të ndonjë ndërkombëtari".

Për t'iu përgjigjur gazetarëve mbi mundësinë e ndikimit rus në Shqipëri, Meta ka  zgjedhur të shigjetojë sërish politikanët shqiptarë.

Ilir Meta: "Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Do donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e gjithë popujve të rajonit për tu integruar në BE dhe Nato por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Por nuk duhet ta katandisim rrezikun rus, si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi që janë krijuar nga ne".

/Ora News.tv/