Pas rreth 90 minutash përfundoi takimi i ambasadores Kim me Presidentin Meta 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi një takim me presidentin Ilir Meta në Presidencë paraditen e sotme ndërsa ndërkombëtarët dhe mazhoranca prej shumë orësh po presin një vendim nga kryetari i PD-së,  Lulzim Basha, nëse do të firmosë apo jo dokumentin e përpiluar në rezidencën amerikane.

Takimi nuk ka qenë kokë më kokë, por me dëshmitarë për rreth 90 minuta informon gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi.

Pasi është njohur edhe me qëndrimin e SHBA, e cila është edhe arbitrja në bisedimet mes PS dhe PD, Ilir Meta me tone të qeta, topin e la sërish në fushën e Lulzim Bashës.

"Mesazhi im për opozitën ka qenë ky: Gjithçka për konsensus. Mesazhi im për opozitën që kur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri ka qenë: Mos bini pre e provokimit të radhës për tu larguar nga tryeza e reformës. Mesazhi tjetër ka qenë, mos paraqitni listë dëshirash por qëndroni qartë tek ato elementë bazikë për të cilat do të keni përkrahjen e partnerëve ndëkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë të atyre të cilët janë mjaft të shqetësuar për problemnet e zgjedhjeve dhe legjitimitetit të institucioneve në Shqipëri dhe që kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që Shqipëria të marrë një vrull të ri drejt BE"  u shpreh Meta në konferencën për median mesditën e 5 qershorit 2020. 

Telefonata me Bashen- Ndërkohë para këtij takimi Meta tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kreun e PD-se, ku në qendër të këtij komunikimi ka qenë pikërisht ngërçi i negociatave.

"Kam pasur një telefonatë zyrtare me zotin Basha këtë paradite e kërkuar prej tij. Kaq mund të them. Mesazhi im është: Jepuni shqiptarëve atë të drejtë që u takon që ua keni detyrim të gjithë që të keni besim te zgjedhjet, te demokracia, mos i intimidoni më as me arrogancë dhe as me hezitime. Të gjithë duhet të tregojnë besim te demokracia dhe ajo fillon te vota dhe zgjedhjet e lira. Qëndrimin tim për sistemin e dini që nga 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese" u shpreh Meta në konferencën për median mesditën e 5 qershorit 2020.  

Ngrijnë negociatat: Meta ia lë topin Bashës, takon Yuri Kim me dëshmitarë

/Ora News.tv/