Yuri Kim merr dakortësinë e Bashës: Reforma zgjedhore të përfundojë brenda 31 majit

Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda afatit 31 maj,  të përcaktuar nga vetë palët politike.Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, duke folur pas takimit me kryeopozitarin Basha në selinë blu tha se ky afat është përcaktuar nga vetë aktorët politike dhe jo ambasada amerikane.Kim tha se opozita ka një detyrë të vështirë përpara, por shtoi se nga takimi me Bashën ndihet e inkurajuar dhe pret të shohë rezultate në vazhdim.

Siç e paralajmëroi ditë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim i shkoi në zyre Lulzim Bashës me të cilin bisedoi më shumë se 50 minuta.

Prej kohësh kishte munguar një takim, i cili në fund do të komentohej me fjalë të ngrohta nga palët, të cilët u prononcuan  për mediat në krah të njëri-tjetrit.

Ambasadorja Kim inkurajoi forcat politike të permbyllin reformën zgjedhore brenda afateve të vendosura.

Kim ditet e fundit ka pasur takime të ngjeshura me faktorin politik, përfshirë Kryeministrin dhe Presidentin.

Ajo tha se me Bashën ka biseduar për të ardhmen e jo për të shkruarën, ndërsa sipas saj opozita ka punë të vështira përpara.

Yuri Kim: Sapo zhvilluam një takim  shumë të mirë, isha shumë e kënaqur që pata mundësi të takohem me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i fokusuar për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, veçanërisht folëm për rëndësinë sesi udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar sikurse kanë premtuar për të përfunduar reformën zgjedhore deri me 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e SHBA apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm, ky është një afat kohor  që e kanë përcaktuar mbi vetën e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet.


Vetë Lulzim Basha garantoi Ambasadoren se opozita do bëjë gjithçka për të përmbyllur reformën brenda 31 majit.

Kjo, tha ai, për ti dhënë shqiptarëve mundësinë të votojnë të lirë, pa u ndikuar nga bandat.

Kryetari i opozitës  tha se është i  angazhuar që Shqipëria të ecë përpara drejt Bashkimit Europian dhe  të mos mbetet peng i të shkuarës.

Lulzim Basha: Dua të falenderoj ambasadoren Yuri Kim për reformën zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira është prioritet absolut i PD i opoizitës së bashkuar dhe shqiptarëve. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ti garantuar shqiptarëve mundësinë që ti drejtohen një orë e më parë kutive të votimit të pandikuar nga bandat kriminale e paraja e korrupsionit qeverinë e tyre. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar kësaj maxhornce reforma të ketë mbaruar në mënyrë që kjo krizë e thellë kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë me votën e tyre. Shqipëria të ecë përpara dhe të mos mbahet peng i të shkuarës por të hapë rrugën e integrimit të BE-së.

Takimi i kryediplomates amerikane me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vjen fill pas mbledhjes së Këshillit Politik për reformën zgjedhore ku Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste kanë gjetur dakordësinë sa i takon shkurtimit të periudhës zgjedhore si dhe kapitullit të financimit të fushatës zgjedhore dhe kuotave gjinore.

Zgjedhjet nuk do të mbahen më në qershor, por janë propozuar periudhat nga 15 Prill-15 Maj dhe nga 15 Tetor - 15 Nëntor.

Ndryshe nga varianti aktual ku Presidenti detyrohet të caktojë datën në një nga 2 të dielat e fundit të periudhës, tani presidenti nuk ka kufizim. Ai mund të dekretojë zgjedhjet në secilën nga të dielat brenda periudhës së re të miratuar.


EMISIONET