“Amazon” i ndalon policisë amerikane "Rekognition", programin që identifikon fytyrat e njerëzve

“Amazon” i ndalon policisë amerikane "Rekognition",

Gjiganti i teknologjisë, Amazon, i ka ndaluar policisë amerikane për një vit përdorimin e një programi për identifikimin e fytyrave, pas shqetësimeve rreth diskriminimit të mundshëm në bazë të racës dhe ngjyrës së lëkurës.

Protestat kundër diskriminimit racial të nxitura pas vdekjes së afro-amerikanit Xhorxh Floid në SHBA kanë shtyrë kompaninë amerikane "Amazon" që për arsye etike të aplikojë një moratorium për një nga shërbimet e veta kompjuterike.

Kompania shumëkombëshe e teknologjisë njoftoi mbylljen për një vit të programit "Rekognition" që shfrytëzohet nga policia amerikane për të identifikuar fytyrat e njerëzve me kamera në rast se ata shkelin ligjin.

Aktivistët për të drejtat e njeriut prej vitesh ankohen për saktësinë e kësaj teknologjie, që edhe pse e plotësuar me inteligjencë artificiale, sërish i diskriminon njerëzit në bazë të moshës, gjinisë, racës dhe etnisë.

Shkak për gabimet mendohet se janë stërvitja e sistemit kompjuterik kryesisht me fytyra të njerëzve dhe burrave të bardhë.

Për pasojë, një përqindje më e lartë e afro-amerikanëve ose e personave me lëkurë të errët identifikohen gabimisht, siç është rasti i grave afro-amerikane që njihen si burra nga kompjuteri, duke sjellë kështu një diferencim të padrejtë me baza racore dhe gjinore.

"Kemi kërkuar që qeveritë të vendosin rregulla më të forta për përdorimin etik të teknologjisë së identifikimit të fytyrës. Ditët e fundit Kongresi amerikan është treguar i gatshëm që ta marrë përsipër këtë sfidë. Me moratoriumin tonë një-vjeçar do ketë kohë të përpilojë masat e duhura," informoi kompania "Amazon" në deklaratën për shtyp.

Këtë javë, një tjetër gjigant i teknologjisë amerikane, firma IBM, njoftoi se nuk do i ofrojë më policisë vendëse shërbimin e mbikëqyrjes apo profilizimit të njerëzve sipas racës, duke ngritur dyshime për keqpërdorimin e teknologjisë nga forcat e rendit.

Ndërkaq, shërbimi do vazhdojë t'u jepet si më parë organizatave për të drejtat e njeriut, atyre që merren me luftën ndaj trafikimit të njerëzve dhe me shfrytëzimin apo me fëmijët e zhdukur.

EMISIONET