Alda Bardhyli zgjidhet në krye të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Alda Bardhyli zgjidhet në krye të Qendrës Kombëtare të

Alda Bardhyli do të jetë Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përmes një njoftimi në rrjetin social "Facebook" shkruan:

"Hapja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, puna për të cilën ka nisur prej kohësh, është lajmi i mirë i këtij fillimviti. I urojmë suksese drejtores së QKLL, Alda Bardhyli, në këtë sfidë të re, në orientimin sa më të mirë, të politikave tona, që lidhen me një fushë kaq të rëndësishme, siç është libri”.

Qëndra Kombëtare e Librit u hap një vit më parë me vendim të Këshillit të Ministrave. Qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror.

Si përgjegjësi kryesore e Qendrës janë funksionet që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, duke kontribuar edhe në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit. Bardhyli vjen në këtë post pas një karriere të gjatë në fushën e botimeve dhe medias. 

EMISIONET