Presidenti i Republikës, Ilir Meta, po përdor komunikimet me gazetarët dhe rrjetet sociale për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve për besëlidhjen e re të 2 marsit, siç ai e ka quajtur.

Gjatë ditës së dielë, Kreu i Shtetit në përgjigje të komentit të aktorit Neritan Liçaj, iu është drejtuar artistëve që me 2 mars të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mbrojtje të Kushtetutës.

Meta: Faleminderit i dashur Neritan! Ju pres me shumë kënaqësi, jo vetëm ju personalisht, por të gjithë artistët heronj dhe patriotë, në 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse organizata mafioze rrëmben në mënyrë anti-kushtetuse Gjykatën Kushtetuese ata do zhdukin, jo vetëm teatrin, por çdo trashëgimi kulturore e kombëtare për llogari të disa oligarkëve dhe organizatës ndërkombëtare.

Duke ju refuar ish-aletatit të tij, Presidenti nënvizon se i njeh mirë ato që po organizojnë grushtin e shtetit, por kërkon tu hapë sytë shqiptarëve që të mbrojnë demokracinë në një moment deçiziv për vendin.

Meta: Të rivendosim plotësisht rendin kushtetues dhe demokratik siç e ka shprehur vullnetin e tij populli shqiptar me Referendum në 22 nëntor 1998. Ndaj ta kthejmë 2 marsin në një referendum madhështor të triumfit të sovranit ndaj puçistëve dhe tradhtarëve kudo qofshin.  Presidenti i njeh prej kohësh, por tani fytyrat e tyre hipokrite po i zbulojnë të gjithë shqiptarët. Bëjnë si tigra për të frikësuar njerëzit e thjeshtë, por janë vetëm minj përpara popullit shqiptar dhe drejtësisë që do të vijë.

Prej 5 ditësh, kreu i Shtetit Ilir Meta ka publikuar fakte që sipas tij vertetojnë se mazhoranca synon kapjen e Gjykatës Kushtetuese duke luftuar institucionin e Presidentit.

/Ora News.tv/