Aksidentohet kamioni në Turqi, 20 emigrantë të vdekur, midis tyre fëmijë

Një kamion me emigrantë është aksidentuar në Turqi duke shkaktuar 20 viktima. 

Midis të vdekurve raportohet të ketë edhe fëmijë.

Kamioni, i cili ishte nisur drejt Greqisë, doli nga rruga në një autostradë dhe ra në një kanal në Turqinë perëndimore, raportojnë mediat shtetërore.

Automjeti po udhëtonte në një autostradë afër aeroportit të Izmir, kur ra në kanalin rreth 20 metra poshtë.

Kombësia e emigrantëve nuk dihet ende dhe autoritet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Ndërsa kanë mbetur të plagosur 18 emigrantë që iu është dhënë ndihma e parë.

Policia dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje.

Mediat turke njoftuan se shoferi ishte ndër të lënduarit dhe tha në deklaratën e tij të parë për policinë se një makinë që po ecte para tij kishte devijuar rrugën.

Agjencia e lajmeve DHA tha se makina ishte drejtuar për në bregdetin e rajonit të Izmirit, nga ku emigrantët kishin planifikuar të merrnin një varkë për në ishullin Samos të Greqisë.

Turqia është një pikë kyçe tranziti për emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që kërkojnë një jetë të re në Evropë.

Një ditë më parë, 11 emigrantë klandestinë kanë gjetur vdekjen pasi mjeti që i transportonte u përfshi nga flakët si pasojë e një përplasje.

EMISIONET