Një nxënëse e gjimnazit të Lezhës dhe mësuesja e saj u aksidentuan në rrugë vetëm pak metra larg shkollës së mesme.

16 vjeçarja B. Çupi dhe Elidona Gega 23 vjeçe, mësuese e psikologjisë u përplasën nga një makinë fuoristradë, teksa po tentonin të kalonin rrugën para kompleksit të shkollave në qendër të qytetit.

Ata morën ndihmë mjekësore në spitalin rajonal, nga ku u raportua se nuk kanë rrezik për jetën, ndërsa drejtuesi 68 vjeçar i makinës u ndalua nga policia.

Dëshmitarë në vendngjarje thanë se mjeti nuk ishte me shpejtësi, por ishte duke parakaluar një tjetër makinë të ndaluar, ndaj nuk i ka parë nxënësen e mësuesen që i prenë rrugën.

Dëshmitar: "Nuk ishte shpejt makina. I prenë rrugën. Mësuesja ra me kokë."

Siguria në rrugë pranë shkollave është një fenomen shqetësues, por në shumicën e rasteve janë vetë këmbësorët që nuk respektojnë sinjalistikën.

Edhe në rastin e aksidentit në Lezhë nxënësja dhe mësuesja po kalonin në rrugë rreth 30 metra larg vendit të posaçëm për lëvizjen e këmbësorëve.


/Ora News.tv/