Universitetet Publike ende nuk kanë kryer akreditimin e programeve të studimit edhe pse kjo detyrë parashikohet në ligjin për arsimin e lartë. Drejtori i ASCAL, shprehet se procesi duhet të nisë me vullnetin e universiteteve, ndërsa me ritme të shpejta certifikimi i programeve ka ecur në universitetet private.

Ligji i arsimit të lartë detyron çdo universitet që t`i nënshtrohet akreditimit institucional dhe atij të programeve të studimit para lëshimit të diplomave të para.

Por pavarësisht se çdo vit mijëra studentë marrin diplomën, një pjesë e madhe e universiteteve publike ende nuk kanë certifikuar cilësinë e programeve të studimit.

Drejtori i ASCAL, Elvin Gjevori, thotë se ky proces ka ecur me ritme të shpejta tek universitetet private.

Elvin Gjevori: Jemi në proces të akredimit të disa programeve të  studimeve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, rreth 16 programe. Gjithashtu Universiteti "Aleksandër Moisiu" i Durrësit është në proces akreditimi të disa programeve të studimit. Universiteti i Sporteve do të fillojë pak më vonë dhe jemi në diskutim gjithashtu me Universitetin "Fan Noli" në Korçë.

Universitetet më të frekuentuara dhe me numrin më të lartë të studentëve, si ai i Tiranës, Politeknik apo Universiteti i Mjekësisë, ende nuk e kanë nisur këtë proces.

Elvin Gjevori: Për Universitetet e mëdha është një proces më i komplikuar pasi ka disa instrumenta dhe mekanizma që duhet të kordinohen njëkohësisht por nga kontaktet që kam pasur me drejtuesit  e institucioneve ka gjithmonë e më shumë një vetëdije se duhet ndërmarrë procesi i akreditimit.

Përpos mungesës së vullnetit një nga arsyet që universitetet publike nuk kryejnë akreditimin e programeve të studimit është edhe kostoja financiare.

/Ora News.tv/