Pas largimit nga Shqipëria, ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve, Agron Tufa ka paditur deputetin socialist Spartak Braho dhe ish-ambasadorin Fatos Tarifa.

Avokati i Tufës, Kujtim Cakrani dorëzoi padinë për dy figurat publike të cilët sipas tij kanë hedhur baltë ndaj klientit të tij.

Ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit, i cili ka kërkuar azil politik në Zvicër, akuzon Brahon dhe Tarifën për veprat penale të shpifjes dhe fyerjes. Sipas avokatit akuzat janë ngritur pas dy shkrimeve në një gazetë të përditshme.

Kujtim Cakrani: “E kanë cilësuar si një njeri që i ka shërbyer Ballit Kombëtar apo Kolaboracionistëve. Kanë qenë veprime të Tarifës. Për sa i përket Spartak Brahos ka vazhduar edhe më keq akoma ku e akuzuar për vjedhje fondesh dhe natyrisht ka thënë që ne do ta gjejmë edhe atje ku ai ka shkuar.”

Gjithashtu sipas Cakranit ish drejtori i institutit ka marrë kërcënime të ndryshme si nga administrata ashtu edhe nga njerëz të tjerë.

Kujtim Cakrani: “Kërcënimet kanë qenë me emër anonim por kanë qenë të identifikueshme por organi i akuzës nuk ka vepruar deri sot.”

Nëpërmjet padisë Tufa kërkon të deklarohen fajtor Braho dhe Tarifa duke kërkuar si dëmshpërblim 500 mijë lekë të reja.


/Ora News.tv/