Beteja me virusin e padukshëm në Shqipëri, sikurse në gjithë globin vazhdon të jetë kryefjalë e ditës. 79 persona rezultojnë zyrtarisht se kanë humbur jetën në vend që nga nisja e pandemisë, mes të cilëve dy mjekë.

Ndërkohë që sipas së dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë të identifikuar si të prekur nga koronavirusi 2864 persona, nga të cilët 1702 janë të shëruar dhe 1183 të tjerë vazhdojnë të jenë aktivë. Në të gjithë vendin rezultojnë të jenë kryer në total 29260 testime.

Vetëm në 24 orët e fundit 3 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv.

Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë. Në spitalin infektiv aktualisht janë 78 pacientë të shtruar, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rënde.

Gjatë inspektimit në terren bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë për moszbatimin e masave dhe protokolleve.

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsimin e masave për shkelësit e ligjit. Ndërkohë patrulla policie janë vënë re në monitorimin e personave të konfirmuar pozitivë, për të mos i lejuar ata të thyejnë karantinën.

Apeli i mjekëve që vazhdojnë të luftojnë në vijën e parë të frontit, është ruajtja e distancës fizike 1.5 metër, mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe higjiena e duarve. Edhe pse jemi në kulmin e stinës së verës me temperatura të larta, virulenca e virusit vazhdon të jetë shqetësuese, ndërkohë që shtator flitet për një valë të dytë të infektimeve.

Në mbarë botën nga koronavirusi COVID-19 janë infektuar mbi 11 milion persona nga të cilët kanë humbur jetën mbi 524 mijë vetë, si dhe janë shëruar mbi 6 milionë e 152 mijë të tjerë.

Statistikat COVID-19 në Shqipëri:

Testime totale 29260 Raste pozitive 2964 Raste të shëruara 1702 Raste Aktive 1183 Humbje jete 79 (Tiranë 44, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 12, Kukës 1, Elbasan 2, Lezhë 1).

/Ora News.tv/