Gjykata Speciale, u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë për të gjykuar krimet e dyshuara se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999. Gjykata “hibride”, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010. 

Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme ndaj serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar se kanë bashkëpunuar me regjimin e Beogradit gjatë dhe para luftës. Kjo nuk është një Gjykatë për Krime Lufte e Kombeve të Bashkuara, por një gjykatë e Kosovës në tokën holandeze. Vendosja e kësaj gjykatë në Holandë, u bë për shkak të mosbesimit tek një gjykate e pavarur brenda në Kosovë, si dhe mundësisë së kërcënimeve ndaj dëshmitarëve. 

Puna e gjykatës financohet nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore. Kjo gjykatë është përpjekja e katërt për të hetuar krimet e luftës që besohet se kanë ndodhur në Kosovë. Më herët ishe Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, pastaj Misioni I Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK, dhe më vonë misioni I Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit Eulex. Bazuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mandati i gjykatës duhet të vazhdojë derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Europian që hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë është e plotë. Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Në atë kohë, kryeministër ka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. 

Gjykata punon me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët janë ndërkombëtarë. Ajo u krijua për të hetuar ish ushtarët e UCK-së të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari I vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Pesë vjet pas themelimit, Gjykata Speciale ka dërguar dhjetëra ftesa për intervistim dhe ka intervistuar edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, por se ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë. Nje vit më parë kjo Gjykatë thirri për të marrë në pyetje ish kryeministrin Ramush Haradinaj, moment ky që u bë shkas i dorëheqjes së tij nga detyra. 

Së fundi Gjykata Speciale ka ngritur akatkuzë ndaj Presidentit Hashim Thaci dhe ish kryetarit të Kuvendit aktualisht kryetar i PDK-së, Kadri Veseli dhe disa ish luftëtarëve të tjerë të UCK-së të grupit Drenica. Aktakuza përban 10 pika, ku përfshihen një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

/Ora News.tv/