"3.4 mln eurot", Krimet e Rënda shpallin moskompetencë për padinë e Ballës ndaj Bashës

"3.4 mln eurot", Krimet e Rënda shpallin moskompetencë

Përballja e kryedemokratit Lulzim Basha me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në lidhje me akuzën e 3.4 milionë eurove, do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencën, në lidhje me padinë për shpifje që Balla depozitoi, pas akuzave në Parlament në Bashës.

Ky i fundit ka deklaruar se Balla ishte garanti dhe pritësi i 3.4 milionë eurove që u sekuestruan në Durrës. Në nisje të seancës, ku morën pjesë vetëm avokatët e të dyja palëve, Ivi Kasmi e Gazmend Bardhi, si mbrojtës së Bashës dhe Eridian Salianji si mbrojtës ligjor i Ballës, deputeti socialist u shpreh se ka prova të reja që implikojnë drejtpërdrejt liderin e opozitës.

Balla: Ka elementë të rinj që e bëjnë Lulzim Bashën një person i cili ka pasur dijeni. Lulzim Basha i njeh fare mirë ata. Nuk është rastësi gjendja në zyrën personale në PD të një prej vëllezërve. Unë kam dyshime që Lulzim Basha njeh edhe dy kushërinjtë e tjerë. Lulzim Basha do t'u kërkojë ndjesë mua dhe kolegëve të mi. Është një person që ka vënë në rrezik suksesin e një aksioni policie.

Ndërsa asnjë nga avokatët nuk pranoi të prononcohej. Pala mbrojtëse e Bashës paraqiti kërkesën për shpalljen e moskompetencës nga Krimet e Rënda, pasi përfaqësojnë një deputet të Parlamentit. Sipas tyre këtë çështje duhet ta gjykojë gjykata e rrethit, deri në formimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Balla ka paditur Bashën për shpifje, menjëherë pasi kryedemokrati deklaroi në Parlament se deputeti socialist ishte garantuesi i mbërritjes së 3.4 milionë eurove në Durrës, me makinat “Toyota Yaris”, që sipas tij janë të bandës së Elbasanit.

EMISIONET