Dy dekada, dy protagonistë të së majtës.

Ilir Meta dhe Edi Rama, të dy të majtë e të dy kërkuan protagonizmin politik.

Kur Rama e Meta vendoseshin bashkë përballë demokratëve ata arrinin që të triumfonin në betejat zgjedhore. Por ndryshe ndodhte kur dy protagonistët e së majtës kishin përballë njëri tjetrin.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2000 Ilir Meta kryeministër mbështeti Edi Ramën për kryebashkiak. Fitorja e të majtës u konfirmua.

Edhe pse i larguar nga Partia Socialiste, me një forcë të re politike si LSI, Ilir Meta çoi në opozitë socialistët pas 8 vitesh në pushtet në vitin 2005.

Por pas humbjes së zgjedhjeve nga Fatos Nano vetë Ilir Meta zgjodhi që të bashkohej me Edi Ramën. E kështu ndodhi në lokalet e 2007.

Meta në 2007: Fitore sa më të thellë për Edi Ramën, fitore për fëmijët tuaj.

Dashuria dhe bashkëpunimi nuk zgjati shumë. Në 2008 Edi Rama bashkoi votat me Sali Berishën për ndryshimet kushtetuese. Kjo krijoj dhe çarjen e madhe mes tyre.

Meta: Koalicioni opozitar ka pushuar së funksionuari dhe për këtë përgjegjsia kryesore është e lidershipit të PS-së.

Rama: Mua më vjen sinqerisht keq, që miku im i vjetër Ilir Meta iu kthye një loje të vjetër.

Inati ndaj njeriut që e mbështeti gjatë solli për Ilir Metën një lëvizje jo të natyrshme. Në 2009 Ilir Meta thyen tabunë rreth 20 vjeçare dhe  nënshkruan një koalicion qeverisës me Sali Berishën.

Mjaftoi publikimi i një videopërgjimi ku Ilir Meta dhe Edi Rama të mos kursehen kundër njëri tjetrit.

E përplasja mes Metës dhe Ramës solli humbjen e drejtimit të bashkisë së Tiranës në 2011 nga kryesocialisti pas disa mandatesh.

Inatin e shuajti koha si duket. Meta dhe vëllai i tij armik në 2013, pas darkës së ngjalave në vilën e ish kreut të LSI, firmosin marrëveshjen e 1 prillit në Shkodër. Marrëveshje që riktheu në pushtet të majtën.

Në 4 vite Meta e Rama vijuan të drejtonin bashkë vendin e në fund të këtij mandati Edi Rama vendosi ta zgjedhë Metën president.

Ilir Meta mundi që për më shumë se një vit të kishte një marrëdhënie korrekte e institucionale me qeverinë e mikut dhe armikut të tij në 2 dekada.

Por tashmë tonet janë ngritur, gjakrat janë nxehur, tensioni ndihet në ajër.

Shumica ka vendosur që të shkarkojë presidentin Ilir Meta, një nismë kjo e para e këtij lloji në 29 vite demokraci.


/Ora News.tv/