Presidenti Ilir Meta ka uruar 107 vjetorin e krijimit të Ushtrisë Shqiptare. Përmes një postimi në facebook, Meta duke vlerësuar kontributet e tyre në fushën e sigurisë ka nënvizuar edhe rolin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës në vend pas tërmetit të 26 nëntorit.

Meta: Me konsideratat më të larta, ju shpreh sot urimet më të ngrohta të gjithë burrave dhe grave në uniformë të Forcave tona të Armatosura, me rastin e 107-vjetorit të Ushtrisë Shqiptare!

Falenderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurisë Kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë, nën flamurin e NATO-s.

Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxorri në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë!Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur!

Historiku- Gjashtë ditë nga shpallja e Pavarësisë në Vlorë, 4 dhjetor 1912, u krijua ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Ushtria kombëtare. Ministri i parë i Mbrojtjes shqiptare ishte Mehmet Dralla ndërsa shtabin e Përgjithshëm e drejtonte Ali Shkupi. Në atë kohë ushtria e Shqipërisë përbëhej nga 12 mijë vetë, si forca aktive dhe në rezervë dhe xhandarmëria.

Fillimi i Luftës së dytë Botërore i dha goditjen fatale ushtrisë por dhe shtetit shqiptar. Në kohën e luftës rolin e ushtrisë e morën forcat kombëtare antifashiste nacional çlirimtare të cilat në nëntorin e vitit 1944 arritën një numër të konsiderueshëm personeli në rreth 70 mijë, pothuajse 70% e popullsisë së vendit. Pas luftës ushtria nisi të funksiononte si një trupë normale në kohë paqeje dhe numri i personelit ra në 27 mijë. Në fillim të viteve 90 ushtria shqiptare u reformua duke hequr simbolet e komunizmit dhe duke marrë trajtën e një ushtrie të depolitizuar.

Pas kërkesës në vitin 1992 për tu bërë pjesë e NATO-s, në 1 prill 2009 Shqipëria u bë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo është arritja më e madhe e forcave të armatosura. Në 2010 u hoq shërbimi i detyruar ushtarak.

Aktualisht ushtria shqiptare ka një personel aktiv prej 8500 vetësh dhe në rezervë janë 14 mijë persona. Zotëron një flotë ajrore prej 23 helikopterë transportues, 688 vetura luftarake, 28 anije patrulluese dhe dy anije luftarake.

Ministrja aktuale Olta Xhaçka është ministrja e 34 e këtij dikasteri nga viti 1912. Ndërsa ministri më jetëgjatë në këtë drejtim është Beqir Balluku, i cili ka qënduar 21 vjet në krye të këtij dikasteri, 1953- 1974.

/Ora News.tv/