Zyrtare/ Shkëndija e Tetovës godet në merkato, firmos futbollisti i kombëtares shqiptare

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Valon Ahmedi është futbollisti më i ri i Shkëndijës së Tetovës.

25 vjeçari ka gjetur akordin me kuqezinjtë për një bashkëpunim për 3.5 vitet e ardhshme dhe pas firmosjes së kontratës është bashkuar menjëherë me skuadrën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Ndjehem shumë i lumtur. Në rradhë të parë dua të falemenderoj të gjithë anëtarët e KF Shkëndija për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, për profesionalizmin e treguar, për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë si futbollist.  Përveç faktit se është një kënaqësi e madhe, mund të them se është një privilegj shumë i madh për mua si futbollist, sepse të gjithë e dijnë se Shkëndija ka qenë, është dhe do të mbetet historia e gjithë shqiparëve këtu në vendin tonë”, tha Valon Ahmedi pas zyrtarizimit të bashkëpunimit me Shkëndijën, duke vijuar:

“Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Shkëndijën, sepse rikthehem në vendlindje, në veçanti pranë të familjes time që paraqet një energji dhe diçka që nuk përshkruhet me fjalë, për faktin se deri tani kam luajtur çdo herë jashtë. Mua më mbetet që vetëm me punë, angazhim, me djersë dhe me përkushtim maksimal t’a kthej besimin e Shkëndijës në fushë për gjithçka që kanë bërë deri tani. Të them të drejtën mezi pres të nis punën me grupin," tha Ahmedi në fjalët e para si futbollist i Shkëndijës. 



Valon Ahmedi vjen nga kampionati kroat ku u paraqit me Inter Zapreshiq. Në të kaluarën, mesfushori ofensiv luajti me Ironi Kiryat Shmona në Izrael, Mariborin dhe Celjen në Slloveni, si dhe me Südtirol në Itali ku në vitin 2012 nisi karrierën si profesionist.

Kërçovari regjistron dy paraqitje me kombëtaren A të Shqipërisë, pasi paraprakisht është paraqitur me kombëtaren e moshave, U-21 dhe U-19 të kuqezinjëve. Valon Ahmedi do të bashkohet me ekipin që në grumbullimin e parë të planifkuar për datën 5 janar, ndërsa bëhet përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar, pasi prej më herët është konfirmuar marrëveshja me mbrojtësin, Ardin Dallku.

EMISIONET