Këshilli Politik nuk po mund të gjejë ende mirëkuptimin për finalizimin e një dokumenti konsensual për Kodin e ri Zgjedhor. Ambasadorët e SHBA, BE, Britanisë dhe ODIHR, po vijojnë edhe sot negociatat me përfaqësuesit e Këshillit Politik. 

I ftuar në hapësirën e intervistës në ''RTV Ora'' me gazetaren Beti Njuma, analisti dhe drejtuesi i emisionit ''360 gradë'' Artur Zheji, tha se SHBA do të ndryshojë marrëveshjen PD-PS të vitit 2008.

Artur Zheji: ''Unë mendoj që duhet të kthehemi mbrapa në vitin 2008, ku ligji aktual zgjedhor u miratua nga dyshja PD-PS. Ka qenë një marrëveshje Berisha-Rama e cila farkëtoi këtë kod zgjedhor që kemi sot. Nëse lexojmë atë çka është mbrapa paraqitjes, fakti që ambasadorja amerikane është detyruar dhe i ka ulur në kuadratin e SHBA, do të thotë se Shtetet e Bashkuara përmes Yuri Kim, duan të ndryshojnë jo kodin zgjedhor por marrëveshjen e vitit 2008 midis PD dhe PS. Pra, çformëzimin e dyshes PD-PS, që është ngurtësuar që në vitin 1991.''

Sipas Zhejit, për këtë arsye ka arsye ka rezistencë nga palët dhe për këtë arsye ka shumë presion nga ana e autoritetit diplomatik të SHBA-së.

Artur Zheji: ''Nuk bëhet fjalë për një reformë zgjedhore. Bëhet fjalë për përmbysjen e një partitokracie e cila ka qeverisur me shumë probleme në Shqipëri që nga viti 1991 deri në vitin 2020 ku jemi sot. Për këtë arsye ka arsye ka rezistencë nga palët dhe për këtë arsye ka shumë presion nga ana e autoritetit diplomatik të SHBA-së. Bëhet fjalë për një kod zgjedhor i cili do të mundësojë hapjen e garimit për forcat e tjera politike dhe heqjen e monopolit politik të dyesh PD-PS në politikën shqiptare. Unë mendoj që është një ngërç i madh, më i madh se ç'duket.''

/Ora News.tv/