Rama takon deputetët: Riorganizoni partinë. Nuk jam për lista të hapura, mund të mos kemi as koalicione parazgjedhore
Edhe Partia Socialiste ka nisur mobilizimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në 2021.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot 4 takime me deputetët sipas qarqeve.
Takimet janë mbajtur në Sallën e Hartave në kryeministri që prej orës 13:00 deri në orën 19:00.
Burimet bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar deputetëve të nisin riorganizimin e partisë dhe mobilizimin e strukturave për zgjedhjet e pranverës.
"Nuk ka zgjedhje të parakohshme për bashkitë, kryebashkiakët do të vijojnë mandatin e tyre" ka bërë të qartë Rama.
Shefi i qeverisë mësohet se u ka thënë deputetëve se nuk është për hapjen e listave.
"Unë nuk jam për lista të hapura, kështu që kjo fushatë është betejë e juaja".
Po kështu Rama mësohet të ketë thënë se "në varësi të dinamikës politike, mund të mos kemi koalicione parazgjedhore".
Kreu i socialistëve do të thërrasë nesër edhe kryebashkiakët në disa takime të ndryshme të grupuara sipas qarqeve.