Një arsenal armësh dhe municionesh luftarake është zbuluar nga policia në zonën e Yrshekut në kryeqytet.  Në pranga ka rënë pronari i banesës, Gëzim Haroku, i cili rezulton të jetë autor i plumbave drejt kompleksit Eiffel, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë. Armët janë dërguar në laboratorin e policisë, pasi dyshohet të jenë përdorur në ngjarje kriminale.

Tirane- Plot 15 armë zjarri si edhe një sasi të madhe municionesh janë sekuestruar nga policia në banesën e Gëzim Harokut në Katund të ri.

Policia ka zbuluar se banesa ku ishin fshehur armatimet përdorej dhe si bazë e një grupi të strukturuar kriminal. Krahas arrestimit të Harokut, blutë kanë shpallur në kërkim dhe shtetasin Erigers Mihasi, një personazh i njohur për autoritetet.

Armët dhe baza e grupit kriminal u zbulua pas hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë në rrugën dytësore, Tiranë-Vorë ku u qëllua në drejtim të kompleksit “Eiffel” në pronësi të enver caushit.  Blutë shprehen se është dokumentuar kjo ngjarje, ku autor rezulton të jetë Gëzim Haroku, dhe bashkëpunëtor Erigers Mihasi. Krahas armëve të përdorura për këtë ngjarje, është sekuestruar dhe një automjet, si dhe motori me të cilën dy autorët e të shtënave me armë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë me dije se armët janë dërguar në laboratorin e Policisë së Shtetit ku po bëhen verifikime nëse janë përdorur për ngjarje të tjera kriminale të regjistruara në vendin tonë.
I shpalluri në kërkim nga policia Erigers Mihasi është një personazh i njohur për policinë e shtetit.

Ai është arrestuar në vitin 2019 për grabitjen e banesës së prindërve të Elton Çiços, i ekzekutuar pak kohë më parë në ish-bllok, por 6 muaj pas arrestimit është lënë i lirë për mungesë provash. Mihasi është marrë në pyetje dhe për vrasjen tjetër në ish-bllok ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Mihasi dyshohej si i përfshirë në ngjarje, por pas verifikimeve të gjurmëve nuk rezultoi të ketë qenë pjesëmarrës.


ARMËT E SEKUESTRUARA


•1 mitraloz i lehtë
•7 kallashnikovë
•3 pistoleta
•2 armë automatike MP7
•1 pushkë me dylbi
•1 armë gjahu
•10 granata dore
•10 detonatorë
•10 kallëpe me tritol
•fitil zjarr-përcjellës
•një sasi fishekësh
•një automjet
•dy motorë sportivë


(Ne foto: Gezim Haroku)  





/Ora News.tv/