VOA dhe DW jehonë propozimit të Metës për të mbajtur tre palë zgjedhje në vjeshtë

VOA dhe DW jehonë propozimit të Metës për të mbajtur

Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle i kanë bërë jehonë kërkesës së Presidentit që në 13 tetor të mbahen zgjedhjet lokale, ato parlamentare dhe zgjedhjet për Presidentin.

DW shkruan se "presidenti Ilir Meta, tha të martën (2.07.2019) se zgjedhjet e ligjshme lokale 2019 në Shqipëri do të zhvillohen më 13 tetor, sipas dekretit të tij, të javës së kaluar. Në një konferencë shtypi Meta tha se në "30 qershor u bënë vetëm votime socialiste”, ndaj kriza politike vazhdon. Si rrugë të daljes prej saj Meta propozoi zhvillimin më 13 tetor jo vetëm të zgjedhjeve lokale por edhe të atyre "parlamentare dhe presidenciale”.

Presidenti Meta pohon se në zgjedhjet parlamentare do të kandidojë edhe ai vetë, përballë "cilit do kandidat që kryeministri Rama dëshiron”. Presidenti Meta doli kundër qëndrimit të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, ndaj zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe rezultatit të tyre".

Nga ana tjetër, Zëri i Amerikës është fokusuar kryesisht te akuza e Presidentit Meta për komplot ndërkombëtar.

Presidenti Ilir Meta, shkruan VOA, u shfaq sot përpara publikut duke folur më tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadave perëndimore që sipas tij po e mbështesin atë.

Zoti Meta tha se më 30 Qershor shqiptarët “evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht dhe çdo cmim përplasjen civile”. Ai foli për një komplot bazuar sipas tij, në parimet e “Shtetit brenda Shtetit” që synon kapjen e Shtetii “jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera që vuajnë nga fenomeni i Shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme që janë një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”.

Prapa gjithë kësaj skeme, sipas zotit Meta, qëndron multimiliarderi George Soros dhe familja e tij, ndaj të cilëve ai kishte këtë qëndrim: “Ilir Meta nuk është i rracës së Gruevskit, është president i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Eshtë i rracës së Avni Rustemit dhe disa të tjerëve si Mic Sokoli, Vojo Kushi e të tjerë”.

Duke ju drejtuar kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 30 Qershorit, ai foli për një “turp e skandal, as 10 përiqnd nuk ka marrë, le të mbushin kuti tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist, tregon se çfarë reforme në Drejtësi po bën, nga Reformë e ka bërë Ramaformë. Këto janë gjëra të turpshme e skandaloze që nuk mund të ndodhin në një shtet të së drejtës e që do të anëtarësohet në BE. Për mua demokracia është e panegociueshme, nuk e negocioj me asnjë ambasdadë e asnjë shtet”.

Presidenti i vendit ishte i qartë në pozicionin e tij se zgjedhjet e 30 Qershorit ai nuk I njeh. “Zgjedhjet janë më 13 tetor. Dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Prandaj gjithë këto pallavra, KQZ-ra, rezoluta të Kuvendit socialist me opozitën e re të skandalit të unazës së re, dhe me Kolegjin socialist, nuk ka njeri që mund të vërë në diskutim këtë gjë, duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin”, u shpreh presidenti duke dhënë dhe propozimin e tij për kapërcimin e situatës.

 “Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje për presidentin, dhe unë do kandidoj si president, me këto kompetenca dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që nuk më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit që të mos na ndodh sërish 2 korriku”.

EMISIONET