Zbulimi i varrezave tumulare ditën e djeshme (7 korrik) në zonën e Himarës duket se kanë tërhequr vëmendjen e mediave të huaja si dhe studiuesve të historisë Ilire e shumë arkeologë të tjerë.

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili e bëri të ditur një lajm të tillë në llogarinë e tij në Facebook, ishte në këtë zonë mëngjesin e sotëm.

Në një lidhje direkte me Ora News, ai u shpreh se ka pasur interesim, si dhe ka marrë mesazhe nga media të huaja e arkeologë e studiues për të bërë një interpretim të kësaj gjetje.

Sipas grupit të arkeologëve që kanë punuar për këtë gjetje, varrezat tumulare i përkasin shekullit të 15 deri në shekullin e 12 përpara Krishtit të cilat pohojnë dhe njëherë jetesën ilire në këtë zonë.

Çipa: Në zbulimin më të fundit arkeologjik shqiptar të mund të hedhim dritë mbi një nga gjetjet e cila padyshim rikthen në pozicion fillestar arsyetimet që  bëhen për hershmërin e arkeologjisë historike në këtë territor. Ne jem këtu në një nga segmentet anësore të ashtuquajturit Përroi i Koranit në Himarë ku pas një pune disa vjeçare kryesisht nga viti 2018 deri ditën e sotme, një grup arkeologësh të Drejtorisë Rajonale të Arkeologjisë dhe të Drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare kanë kryer punime të kujdesshme që kanë zgjatur me një investim të posaçëm profesional. Këtu ndodhet varreza tumulare e hershmërisë që sipas pohimeve të grupit të arkeologëve daton në shekullin e XV-XII para Krishtit. 

Këto punime gjithmonë kanë filluar pas një kujdesi të posaçëm nga institucionet përkatëse. Ka pasur një rrezik eminent për shkak se është një segment i një përroi të rrëmbyeshëm gjatë kohës së shirave që vijnë prej lartësive të maleve. Punimet e kryera në këtë segment janë ende të papërfunduara, tashmë është gjetur një pjesë e mirë e varrezës por të tilla ka dhe në segmentin e mësipërm të këtij përroi dhe një pjesë e mirë e materialeve të gjetura për tu ruajtur dhe për tu administruar në mënyrë të kujdesshme nga shteti janë transportuar në Drejtorinë Rajonale të Qarkut të Vlorës. Pas publikimit të djeshëm në llogarinë time në Facebook, kanë ardhur interesime nga media ndërkombëtare nga grupe të posaçme të interesimit arkeologësh. Ka shumë studiues të çështjeve historike të Ilirisë dhe Epirit e trashëgimisë kulturore në përgjithësi, për t'i interpretuar këto gjetje që ështënjë nga më të rëndësishme. Arkeologë dhe studiues të mëhershëm kanë pohuar në mënyrë konsistente se i gjithë territori i Himarës është një territor i pazbuluar për të gjetur artefakte të historisë arkeologjike.

Sipas grupit të arkeologëve, varreza të tilla tumulare janë gjetur në zona të ndryshme të hapësirës ballkanike, por që nuk ka ende një konkluzion final për këtë.

Çipa: Nuk dua të futem në keqinterpretime por nga konsultime që kam pasur me grupet e arkeologëve që janë marrë më herët thuhet se kanë ngjashmëri me varrezat e gjetura në territoret e tjera të hapësirës ballkanike, zonës së posaçme ilire. Nuk ka ende një konkluzion zyrtar nga grupi i arkeologëve.

/Ora News.tv/