3 ton e gjysëm kanabis sativa dhe kokainë të cilave u shkonte vlera në 40 milionë euro janë sekuestruar nga 2 vite hetimi të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë.

Si rezultat i kësaj pune 37 persona janë arrestuar prej të cilëve 10 në Vlorë, madje bëhet e ditur se dhe organizimi i grupit realizohej prej qytetit bregdetar të Shqipërisë.

Po ashtu bëhet e ditur se janë sekuestruar pasuri me vlerë 4 milionë euro mes tyre 15 apartamente 1 gomone si dhe automjete lukzose.

Prokurori i Antimafias italiane në një videokonferencë të përbashkët e ka cilësuar operacionin si një sukses të përbashkët.

De Raho: Operacioni u koordinua nga Eurojust. U sekuestruan hashash, kokainë dhe heroinë. Janë vënë në pranga 37 persona. Është operacioni më i madh që ka goditur grupet mafioze italiane dhe shqiptare. Kemi bashkëpunuar dhe me Arben Krajën, kreun e SPAK në Shqipëri.

Megjithatë sërish në pranga kanë rënë të dyshuarit për trafikun, ndërsa kreu i SPAK, Arben Kraja, në videokonferencë theksoi vazhdimin e hetimeve për të ndaluar zyrtarë që mund të kenë favorizuar trafikun.

Kraja: Falenderoj Eurojust për ndihmën skuadrat investigative. Operacioni ishte i suksesshëm, me koordinim perfekt në të njëjtën kohë. E reja që kemi sjellë në Shqipëri me këtë hetim është se nuk jemi kufizuar vetëm me hetimin, por edhe hetim dhe akuzë për pastrim të veprës penale (pastrim parash). Jemi të vendosur që të vijojmë me të njëjtin ritëm edhe me skuadrat e tjera investigative të përbashkëta. Në Shqipëri do të hetojmë përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore që kanë lejuar apo favorizuar aktivitetin kriminal. Kushdo që të jetë i përfshirë dhe do të provohet do të dërgohet para gjyqit. Jemi të vendosur që edhe ekipet e tjera të përbashkëta do të vijojnë me të njëjtin seriozitet për të arritur rezultatet pozitive. Ajo që do të bëjmë është të hetojmë deri në fund deri në detaje për përgjegjësit e autoriteteve që kanë lejuar këtë. Kushdo që do provohen si i përfshirë do dërgohet para drejtësisë. Jam i sigurt që do kemi sukses edhe me skuadrat e tjera. 

Për Ministrin,  Sandër Lleshaj, kjo ishte provë e fortë e bashkëpunimit Polici-SPAK.

Lleshaj: Operacioni i përbashkët italo-shqiptar dha sot një goditje shumë të fortë kundër krimit të organizuar në të dy brigjet e Adriatikut. Në të njëjtën kohë, operacioni provon fuqinë e pafundme kundër të keqes kur institucionet punojnë bashkë si në rrafshin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Kjo goditje ishte një test i rëndësishëm për marrëdhënien e re të SPAK me Policinë e Shtetit. Sot SPAK, Policia e Shtetit dhe autoritetet italiane meritojnë urimet më të mira për suksesin, i cili me siguri do të thellohet më tej në të ardhmen e shpejtë

Hetimet për këtë grup nisën në mars të 2017 dhe vazhduan deri më janar të 2019 ku u zbardh një trafik droge përmes Shqipërisë e rajonit Puglia në Itali.

Kanë qenë dëshmitë e dy të ndaluarve që kanë zbërthyer organizimin e rrjetit dhe mënyrën se si funksiononin.

Falë tyre u bë e mundur sekuestrohet në ujërat e Molfeta në provincën e Barit, një gomone me mbi 1 tonë marijuanë e të arrestohen 2 skafistë shqiptarë.

Gjithashtu janë sekuestruar municione për kallashnikov dokumente te falsifikuara, skeda telefonike etj.

Ndërsa një magazinë në komunën Savelletri të Barit shërbente dhe si pikë shpërndarje.

Gjatë hetimeve të operacionit është arrestuar në flagrancë në Sarandë në Shqipëri një çift italian nga Bari me një kamper turistik me gjysëm toni marijuanë që po udhëtonte nga Saranda duke kaluar në rrugë tokësore drejt Greqisë me destinacion Barin.

Hetimet komplekse të operacionit si telefonike ashtu dhe ambientale çuan në arrestimin dhe të një punonjësi të forcave të rendit të policisë italiane, i cili ka bashkëpunuar në fabrikimin e dokumentave të identifikimit të falsifikuara dhe në përcjelljen e informacioneve të rezervuara nga Ministria e Brendshme italiane.

Një rol të rëndësishëm në hetime luajti dhe ekzekutimi i operacionit të koduar "Shefi", i cili më 14mars 2018 coi në arrestimin e 43 persoanve shqiptarë e italianë. Ndërsa në vlore është sekuestruar dhe një tjetër skaf që do të shërbente për dërgesat e radhës.

/Ora News.tv/