Një 40-vjeçar nga Shkodra i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar. Sipas policisë, për shtetasin J.V., Gjykata e Milanos në Itali, në vitin 2018, ka lëshuar urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

"Nga strukturat e DVP Shkodër, pas një pune të mirëorganizuar u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit J. V., 40 vjeç, banues në Shkodër. 

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, sipas njoftimit të dhënë e shpërndarë nga Interpol Roma", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në shtetin italian.

/Ora News.tv/