Stuhia ''Cristobal'' hyn në SHBA

Stuhia ''Cristobal'' hyn në SHBA

Shtetet jugore të SHBA-së po përballen me pasojat e një stuhie tropikale që ka përmbytur zona të tëra të vendit.

Stuhia tropikale e quajtur "Kristobal" ka sjellë shira të dendur me furtunë në disa shtete jugore të SHBA-së.

Pasi përshkoi të mërkurën Meksikën duke nxjerrë lumenjtë nga shtrati e duke i vërshuar ata në rajonet bregdetare, në fundjavë stuhia zbarkoi në shtetin e jugor të Luizianës.

Erërat që arrinin shpejtësinë rreth 85 kilometra në orë trazuan brigjet e Misisipit dhe përmbytën disa pjesë të qytezave ishullore të Alabamës duke gjeneruar edhe një tornado në Floridë.

Shtetet e Arkansasit dhe Misurit gjithashtu janë vënë në gatishmëri për përmbytje për shkak se stuhia po krijon një tepri reshjesh që po u shtohen atyre të akumuluara në 72 orët e fundit nga një tjetër stuhi e quajtur "Amanda", që goditi Amerikën Qendrore.

Dy stuhitë në rajon kanë shkaktuar të paktën 30 viktima, përpos përmbytjeve dhe rrëshkatave.

Të hënën, furtuna tropikale u raportua rreth 56 kilometra në verilindje të Nju-Orlinsit, të martën pritet të ngjitet më në veri për të arritur ditën e mërkurën deri në territorin kanadez.

Zonat më të rrezikuara kanë urdhëruar evakuimin e banorëve.

Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në sezonin e uraganeve nga Atlantiku, periudhë e cila nis nga 1 qershori dhe zgjat deri në fundin e nëntorit.

EMISIONET