Shoqata italiane e Mjekësisë Mjedisore (Sima) njofton se gjurmët COVID-19 janë gjetur edhe në grimca të imëta.

"Ky test i parë hap mundësinë e testimit të pranisë së virusit në grimcat atmosferike të qyteteve tona në muajt në vijim si një tregues për të zbuluar herët rishfaqjen e koronavirusit dhe për të miratuar masa parandaluese adekuate përpara fillimit të një epidemie të re", shprehet Profesor Alessandro Miani, president i Sima.

“Provat e para që lidhen me praninë e koronavirusit në grimcat vijnë nga analizat e bëra në 34 mostra PM10 në ajrin e ambientit të zonave industriale në provincën e Bergamos, për një periudhë të vazhdueshme prej 3 javësh, nga 21 shkurt deri në 13 Mars ”, shpjegon Leonardo Setti, koordinator i grupit kërkimor shkencor së bashku me Gianluigi De Gennaro dhe Miani.

Janë gjendur gjurmë të koronavirusit, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që virusi është aktiv dhe ka ngarkesë të mjaftueshme virale për të qenë ngjitës.

Prania e virusit në grimcat

Mostrat u analizuan nga Universiteti i Trieste në bashkëpunim me laboratorët e spitalit Giuliano Isontina, të cilat verifikuan praninë e virusit. Rezultatet pozitive u konfirmuan në 12 mostra të ndryshme.

“Mund të konfirmojmë se kemi demonstruar në mënyrë të arsyeshme praninë e koronavirusit në grimcën atmosferike duke zbuluar praninë e gjeneve shumë specifike, të përdorura si shënues molekular të virusit, në dy analiza gjenetike paralele”, saktëson Setti.

Një mënyrë e re e ngjitjes?

"Provat që koronavurusi mund të jetë i pranishme në grimcat e ajrit, nuk dëshmon akoma me siguri përfundimtare se ekziston një rrugë e tretë e infeksionit", vazhdon De Gennaro. 

"Sidoqoftë, në të ashtuquajturën Faza 2, është e nevojshme të merret parasysh nevoja për të mbajtur emetimet e grimcave të ulëta në mënyrë që të mos rrezikoni të favorizoni përhapjen e mundshme të virusit. Është e mundur që materia e grimcave mund të lehtësojë përhapjen e virusit, mund të jetë një transportues, por ne nuk e dimë ngarkesën virale dhe sa efektive është që të kontribuojë në infeksion" përmbledh Fabrizio Pregliasco, virolog dhe drejtor shëndetësor i spitalit Galeazzi në Milano.

/Ora News.tv/