I ftuar në emisionin ''360 gradë'' në ''RTV'' Ora nga gazetari Artur Zheji, regjisori Edmond Budina tha se publikimi i emrit të tij dhe të vëllait Robert Budina nga kryeministri si të infektuar me Covid-19, përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe do e ndjekë çështjen në rrugë ligjore.

Ai u shpreh se nuk e pranon ndjesën hipokrite të kryeministrit sepse në momentin e shembjes së teatrit kishte njerëz brenda.

Edmond Budina: ''Nxjerrja në ankand e emrit tim dhe të tim vëllai e gjej një mënyrë skandaloze të shkeljes së të drejtave të njeriut. Unë çështjen do ta ndjek në rrugë ligjore. Nuk mund të pranoj keqardhjen hipokrite, në një moment që ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar, kur im vëlla Roberti me 16 të tjerë ishin brenda teatrit, ata filluan shembjen për të vrarë njerëzit brenda në teatër. Kur njerëzit thoshin prisni se ka njerëz brenda, policët bërtisnin dhe thonin le të ngordhin atje, le të varrosen atje brenda. Unë këtë ndjesë hipokrite me atë shkatërrim kriminal që u bë nuk mund ta pranoj.''


/Ora News.tv/