Shtyrja e zgjedhjeve, Kume: Mazhoranca s’ka mundësi për ankimim

Shtyrja e zgjedhjeve, Kume: Mazhoranca s’ka mundësi për ankimim

Presidenti i Republikës Ilir Meta do të flasë të hënën për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit. Burime nga presidenca thanë se kreu i shtetit do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për të shpjeguar arsyet e vendimit. Ndërkohë ish-kreu i KQZ Kristaq Kume e sheh si akt politik qëndrimin që kryeministri dhe mazhoranca po mbajnë ndaj vendimit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Në një intervistë për RTV Ora, Kume argumenton se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca nuk ka hapësira ligjore për të zhvilluar zgjedhjet e 30 qershorit por as për shkarkimin e kreut të shtetit.

Kume: Fakti që konsiderohet se një vendimmarrje e tillë e presidentit është ekuivalente me largimin e tij nga zyra e Presidentit, edhe kjo është një deklaratë politike. 

Përsa i përket mundësisë që socialistët të ankimojnë aktin e presidentit në Gjykatën Apelit, Kume kujton vendimin e vitit 2003.

Kume: Sipas vendimit dhe arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese janë vetëm aktet individuale me karakter administrativ që mund të ankimohen si të tilla në Gjykatën Administrative të Apelit. Ky nuk është akt individual.

Sipas Kumes, menjëherë pasi deklarata e Presidentit të marrë formën e dekretit, KQZ duhet të ndërpresë punën për organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kume: Dekreti i Presidentit sjellë pasoja direkt për veprim në KQZ.

Ish kreu i KQZ e konsideron të drejtë vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa thekson se ky ishte hapi I duhur për shmangien e konfliktit. Sipas juristëve mandati i krerëve aktualë të bashkive përfundon pas betimit të pasardhësve të tyre në këto poste.

EMISIONET